QKMF në Shtime, Foto: Komuna e Shtimes

VIDEO: Tollovi e ankesa të pacientëve në QKMF në Shtime, flet drejtori i Shëndetësisë

Kërkesat e shumta për trajtime të pacientëve që kanë nevojë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime kanë krijuar gjatë ditës së sotme tollovi dhe ngritje zërash.

Një qytetar i komunës së Shtimes ka dërguar një video-incizim ku shihet rendi dhe pritjet për të marrë trajtim mjekësor ndërsa dëgjohen edhe ngritjet e zërave mes pacientëve dhe stafit për shkak të mosrespektimit të rendit për marrjen e trajtimit.

“Shikoni se si bëhet tollovi në komunën e Shtimes, janë vetëm katër shtretër për marrjen e infuzionit a me dhjetëra janë duke pritur në rend dhe u kriju tollovi e madhe e edhe kacafytje mes njerëzve për shkak të mosmbajtjes së rendit”, ka thënë qytetari i cili ka dërguar video-incizimin në KALLXO.com.

Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Shëndetësisë në Shtime, Musa Baftiun.

“Janë 16 shtretër. Sipas legjislacionit në fuqi, kujdesi parësor nuk jemi të obliguar me dhanë infuzione por jo vetëm tash për shkak të pandemisë por gjithmonë qytetarët e kanë marrë edhe këtë shërbim”, tha drejtori.

Ai përmendi fluksin e pacientëve edhe për shkak të pandemisë.

“Tash është një fluks i madh i pacientëve në nivel vendi dhe normalisht ne nuk mundemi me bë përjashtim. Me të gjitha kapacitetet jemi duke punuar dhe mendoj që mjaft mirë jemi duke punuar dhe jemi duke punuar më tepër se që kemi mundësi. Ne i kuptojmë edhe njerëzit se nuk shkon kurrkush për qejf me kërku trajtim në qendër por po mundohemi me bë më të mirën”, tha drejtori Baftiu.

Baftiu tregoi edhe për mungesën e mjekëve në QKMF për shkak të specializimeve.

“Edhe në QMF marrin infuzione, por keni parasysh edhe mungesën e nivelit të mjekëve për shkak të shkuarjes në specializime. Fluksi është kryesisht në Qendrën Kryesore Familjare për shkak se aty bëjmë edhe teste edhe kryejmë edhe shërbime të tjera”, shtoi tutje drejtori Baftiu.