Petrit Mustafa

VIDEO - Rruga e Petrit Mehmetit drejt majave të fitnesit evropian

Gjashtë vjet më parë, Petrit Mehmeti, nuk e kishte imagjinuar që një angazhim të cilit i hyri për t’ia shtuar trupit disa kilogramë do t’i sillte emër dhe shumë përfitime tjera.

Si thatanik që ishte, Mehmeti në vitin 2013 vendosi t’i hyjë stërvitjeve në fitnes.

Vitin e kaluar, ai nisi të bëjë gara nën udhëheqjen e trajnerit Egzon Hyseni, ndërsa para pak javësh u kthye nga Hungaria me medalje të kampionit në garat ndërkombëtare të fitnesit.

“Unë me fitnes kam filluar rreth gjashtë vite më parë, arsye ka qenë pesha e dobët trupore, kam ushtruar rreth tre-katër vite. Kam ushtru, kam arritë një peshë, nuk ka qenë e kënaqshme për mua, kam filluar me një trajner që është kampion i shumëfishtë europian dhe mbarëkombëtar, Egzon Hysenin. Ai edhe më ka shtyrë për me hy në këto gara. Me gara kam filluar vitin e kaluar kam marrë pjesë në gara të Kosovës po ashtu edhe në Maqedoni kam marrë pjesë, e kom marrë vendin e dytë e atje”, tregon Mehmeti.

Petrit Mehmeti ka arritur ta rrëmbejë vendin e parë në garat ndërkombëtare te fitnesit dhe bodybulingut që u mbajtën më 12 dhe 13 tetor në Budapest në kategorinë “men’s physique”.

Pas kësaj, ai arriti të marrë kupën e artë për gjithë kategorinë “Men’s physique” duke u shpallur kështu kampion evropian i të gjitha kategorive në garën e mbajtur.

“Sivjet kam fillu përgatitjet prej muajit maj për këto garat e Budapestit, “Fit Parade”. Krejt kjo përgatitje ka qenë shumë e gjatë dhe ka qenë shumë e vështirë dhe ia ka vlejtë. Motivimi më i madh ka qenë trajneri i im. Ai na ka nejtë gati për gjithçka, aty kam marrë gara në +1.80 cm edhe jam shpallë kampion, pastaj ka qenë edhe gara e të gjitha kategorive edhe aty jam shpallë kampion i kësaj kategorie”, thotë Mehmeti.

22 vjeçari Mehmeti ka treguar se përgatitja është e vështirë, pasi shpenzimet financiare i mbulon vet.

Ai së bashku me trajnerin Egzon Hyseni do të bëjnë gara në kampionatin botëror në Dubai, me 7 dhe 8 nëntor të këtij viti.

“Vështirësi ka shumë të mëdha, përgatitja është shumë e gjatë dhe shumë e vështirë. Ushtrimet janë një orë me pesha dhe rreth 30 minuta kardio. Shpenzimet janë shumë të mëdha. Nuk ka financim për të na mbuluar për këto gara, të gjitha shpenzimet i mbulojmë vet”, ka theksuar Mehmeti.

Ai shprehet i emocionuar duke treguar se triumfi në Budapest ka qenë ndjenja më e mirë për të.

Petrit Mehmeti

“Sakrifica ka qenë shumë e madhe, përgatitja ka qenë shumë e vështirë. Kjo ka qenë ndjenja ma e mirë në botë për mu sepse kam trimfu në sportin që është edhe profesion i imi edhe sporti më i pëlqyer për mu, ka qenë ndjenjë e paharrueshme. Ushqimi është kryesori si për përgatitjen në gara ashtu edhe të trupit për formësimin e muskujve”, ka thënë ai.

Kurse trajneri i Petrit Mehmetit, Egzon Hyseni, fitues i çmimeve ndërkombëtare dhe në Kosovë për bodybuilding, ka treguar për arritjen e Petritit.

“Kjo për neve është një sukses shumë i madh, pasi që Petriti është në moshë shumë të re edhe është viti i dytë që garon. Vitin e parë ka garuar në vitin e kaluar, ka marrë pjesë në Kampionatin e Kosovës ku është shpallur nënkampion, po ashtu ka marrë pjesë edhe në Maqedoni është zgjedh po ashtu nënkampion, kurse këtë vit në Budapest është shpallë kampion është një rezultat shumë i mirë si për Petritin ashtu edhe për mua si trajner dhe shpresojmë që të ardhmen të kapim rezultate edhe më të mira”, ka thënë Hyseni.

Egzon Hyseni tregon se fitnesi është njëri prej sporteve më të vështira, pasi duhet përkushtim 24 orë për të dhe është një rrugë e gjatë që të arrish suksese.

“Ky sport është njëri prej sporteve më të vështira sepse të duhet përkushtim shumë i madh. Shumica e adhuruesve e këtij sporti e dinë se ky sport do punë 24 orë, duke i përfshi ushqimin, ushtrimet fizike. Ka shumë gjëra të cilat duhet t’i përmbahemi, ka shumë fshehtësi në këtë sport ku secili trajner i paraqet me garuesit e tij që i paraqet në arenën ndërkombëtare. Në këtë sport është e pamundur me e stërvitë vetveten edhe nëse je trajner”, shpjegon Egzon Hyseni.