Ridvan Muharremi shihet në Gjykatën e Prishtinës 30.08.2023

VIDEO - Ridvan Muharremi të mërkurën ishte në Gjykatë, avokati thotë se nuk ka informacion

Ridvan Muharremi, të mërkurën është parë në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës nën shoqërinë e dy zyrtarëve korrektues.

KALLXO.com posedon fotografi dhe pamje nga hapësira e Gjykatës deri sa shihet Ridvan Muharremi.

Se pse Muharremi u pa në ambientet e gjykatës, mbrojtësi i të njëjtit ka thënë se nuk është i njoftuar.

“Jam në pushim dhe nuk ma merr mendja, s’kanë pas për çka me sjellë, nuk jam aty vallahi, as nuk më ka thirrë kush as nuk më ka njoftu kurrkush për atë punë”- tha përmes telefonit avokati i Muharremit, Mahmut Halimi.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me disa burime brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se Ridvan Muharremi dje ka dalë nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë dhe është dërguar për në Pallatin e Drejtësisë.

Burime të KALLXO.com tregojnë tutje se Muharremi dje ishte dërguar në Pallatin e Drejtësisë përgjatë intervalit kohor nga 10:30 deri në orën 11:30.

Siç mëson KALLXO.com, Ridvan Muharremi në Gjykatë është sjellur për një rast tjetër që ka të bëjë me një tjetë vepër penale, atë të vjedhjes së shërbimeve.

Kush është Ridvan Muharremi?

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara  janë të dyshuarit kryesor në rastin e pretendimeve për keqpërdorim  me rezervat shtetërore.

Që nga 19 Gushti i këtij viti që të tre të dyshuarve ju ka caktuar 30 ditë paraburgim si masë e sigurisë të pandehurve në procedurë penale.

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit pritet të skadoj me 18 shtator të këtij viti.

Arsyetimi  e detajuar të të Gjykatës së Prishtinës- departamenti special  për caktimin e paraburgimit për tre të dyshuarit mund ta lexoni duke klikuar këtu- LINK

Në dosjen 12-faqëshe të Prokurorisë janë përshkruar me detaje veprimet dhe mosveprimet e tre të dyshuarve, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe një afarist, nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Aty thuhet se pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se edhe përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

“Si pasojë e këtyre veprimeve buxheti i Republikës së Kosovës i destinuar për rezerva shtetërore, është dëmtuar në vlerë prej 601 mijë e 940 euro” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj sipas prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se me 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja e prokurorisë: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezerves shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim per fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.

Gjykata e Prishtinës u ka vendosur sot t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.