VIDEO - Në kohën kur u dogj kioska në Mitrovicën e Veriut, nuk kishte policë

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kioska e cila ishte vendosur tash e disa muaj në rrugën e njohur si “Tre Rrokaqiejtë” nga Policia e Kosovës për të qëndruar si pikë statike, është djegur, ndërsa deri më tani policia nuk ka ndonjë person të dyshuar për ngjarjen.

Djegia e kioskës e cila ishte vendosur nga policia po konsiderohet si kryerje e veprës terroriste.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani në një deklaratë gjatë ditës së sotme ka thënë se në kohën kur kishte ndodhur sulmi, policët e rendit nuk kanë qenë aty.

“Jo, policët nuk kanë qenë këtu, gjatë ditës kemi qenë këtu, ndërsa tani do të mbetet pjesë e hetimeve nëse ka informacione të tjera konkrete që mund të dalë nga kamerat apo ndonjë person” – tha Elshani.

Kioska e policisë e vendosur krahas një kioske tjerët e cila është në pronësi të një qytetari serb, sipas policisë po dyshohet se është sulmuar me mjete piroteknike por që ka pasur edhe përzierje të materialeve ndezëse.

“Është djeg, dyshojmë me një mjet piroteknik i kombinuar me material ndezës, që do të thotë ka mundësi të jetë naftë, benzinë. Dëmet nuk kanë qenë të mëdha, nuk ka pasur nevojë as zjarrfikësit të ndërhyjnë, mirëpo kjo kioskë është tërheq nga ky vend këtu” – ka thënë tutje Elshani.

Sipas të njëjtit, situata në veri aktualisht është stabile dhe e brishtë në të njëjtën kohë.

“Nuk ka probleme të tjera, situata është delikate në të gjithë veriun e Kosovës, konsiderojmë që situata është stabile, por me ngjarjet që po ndodhin mund të konsiderojmë edhe se është e brishtë” – tha ai.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me sulmin që u raportua të ketë ndodhur mëngjesin e hershëm sot.

Policia kioskën që kishte vendosur e ka larguar aty ndërsa në terren janë parë që në vendin e njëjtë për çështje të sigurisë kanë qenë të vendosur edhe disa zyrtar policorë të reagimit të shpejtë.

Kioska e djegur gjendej vetëm pak metra larg zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Kjo zyrë u sulmua me mjete shpërthyese, si granata e shock- bomba në mbrëmjen e 6 dhjetorit të vitit të kaluar.

Edhe sot kjo zyrë është jashtë funksionit dhe vazhdon të jetë e demoluar nga shpërthimet që kishin ndodhur brenda këtij objekti.