Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Kurti: Kurrë më shtrenjtë s’ka qenë armatimi e kurrë më shumë s’kemi blerë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2024 ka folur për blerjen e armatimit.

Sipas kryeministrit Kurti, kurrë më vështirë se në këtë kohë nuk ka qenë blerja e armatimit, por kurrë nuk janë blerë më shumë armë se tash.

“Tash kurrë më vështirë se sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Dhe kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë se tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë me gjet, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë s’është blerë”- tha Kurti.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në parim projektligjin për ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2024.

Buxhetin e vitit të ardhshëm, Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë.

Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.

Sipas tij, buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, më shumë vende të punës, për shëndetësi me shërbime me të mira, arsim të zhvilluar me cilësi të lartë e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.

“Do të jetë buxhet i mbrojtjes e sigurisë për çka kemi ndarë 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në. Ushtrisë sonë që ja kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve, do të ja shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Ndërsa Policia edhe 500 rekrutë të tjerë”- ka thënë Kurti.

Kurti prezanton në Kuvend ndarjet buxhetore për vitin 2024