Kurti prezanton në Kuvend ndarjet buxhetore për vitin 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2024, i cili parashihet të jetë 3 miliardë e 314 euro.

Buxhetin e vitit të ardhshëm, Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë.

Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.

“Do të jetë buxhet i mbrojtjes e sigurisë për çka kemi ndarë 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në. Ushtrisë sonë që ja kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve, do të ja shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Ndërsa Policia edhe 500 rekrutë të tjerë”- ka thënë Kurti.

Sipas tij, buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, më shumë vende të punës, për shëndetësi me shërbime me të mira, arsim të zhvilluar me cilësi të lartë e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.

Teksa ka përmendur platformën ‘Super Puna’, Kurti ka thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm kanë ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit.

Tutje ai para deputetëve ka prezantuar edhe ndarjet nëpër sektorë.

“Sa i përket sektorit publik, koeficienti i pagave do të jetë 110 euro. Për vitin 2024 ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%. Për ndërtimin e çerdheve dhe mbështetjen me bursa, sektorin e arsimit do të mbështesim me 370 milionë euro. Ministrisë së Drejtësisë ja kemi ndarë 31 përqind më shumë buxhet që të zbatohen reformat e nisura në drejtësi”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se janë paraparë 95 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç.

Ai ka thënë se buxheti i komunave, në vitin 2024 do të jetë gati 200 milionë më shumë se në vitin e parë të qeverisjes së Kurtit.

Kurti ka ftuar deputetët ta mbështesin ketë buxhet.

Kuvendi i Kosovës po e shqyrton sot në parim,  projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Javën e kaluar, Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2024.

Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.