Izmir Zeqiri

VIDEO – Kryetari i Zubin Potokut pret që të pranohet nga të gjithë qytetarët

Izmir Zeqiri nga radhët e PDK-së ka dhënë sot betimin si kryetar i komunës së Zubin Potokut.

Ai u shpreh se do shërbej në mënyrë të paanshme për të gjithë qytetarët.

“Betohem ose deklaroj solemnisht se do i kryejë detyrat dhe ushtrojë kompetencat  si kryetar i komunës së Zubin Potokut me nder e besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me  ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qentë për të gjithë”- u shpreh ai.

Zeqiri theksoi se do jenë të fokusuar që ta respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Zubin Potokut.

Ai tutje tha se do shkoj edhe në zyrën që është në objekt të komunës.

“Do shkoj edhe në zyrën që është në objekt të komunës, sot apo nesër. Të gjitha objektet që i takojnë komunës dhe qytetarëve do jenë në posedim të drejtorive, dikastereve”- shtoi ai.

Tutje, ai theksoi se është e rëndësishme se dikasteret do drejtohen me ligje të Republikës së Kosovës.

“Nuk e shoh aq të rëndësishëm se ku është bërë betimi, e rëndësishme është se së shpejti ato zyre dhe dikastere do të drejtohen me ligje të Republikës së Kosovës”- shtoi Zeqiri.

Ai tha se për përbërjen e kabinetit janë të hapur për të gjitha komunitetet.

“Unë dhe kabineti jemi në përpjekje të shtrijmë komunikim, me shumicën serbe, dihet situata e bojkotit, jemi të haprur për të gjithë profesionistët të na bashkohen në kabinet. Uroj që në kabinet të kem shumicë serbe ashtu siç janë edhe si komunitet”- tha ai.

Izmir Zeqiri tha se shpreson që qyetarët serb ta pranojnë ashtu siç i ka pranuar edhe ky kryetarët paraprak.

“Siç ka qenë i pranushëm secili akter serb deri tani për mua, edhe unë dua të jem i pranuar si qytetar i kësaj komune, pa asnjë dallim. Një pjesë e madhe janë edhe të bindur, ne jemi këtu për zbatim të ligjit. Nëse ne e kuptojmë çfarë infrastrukture ligjore ka Republika e Kosovës, asnjë qytetar nuk mund të ndihet keq apo jo krenar sepse nuk na dallon në shumicë apo pakicë”- shtoi tutje Zeqiri.

Madje për këtë mori si shembull ish presidentin e SHBA-së, Barack Obama dhe kryeministrin aktual të Britanisë.

“Po e marr një shembull ku në SHBA, Barack Obama nuk u kontestua që erdhi prej një pakice, ishte shumë i sukseshëm, edhe kryeministri i Britanisë së Madhe po ashtu”- shtoi tutje ai.

Ai tha se nuk foli në serbisht, sepse nuk deshi të lëshoj ndonjë fjalë që të nxirret nga konktesti.

Lidhur me rolin teknik e jo politik për kryetarët, ai tha se janë kryetar me kompetenca të plota kushtetuese, por do jenë në  harmoni me gjithë faktorët relevant.