VIDEO: Kompania e dyshuar për eksploatim ilegal fitoi tender 1.7 milion euro

 

Sonte në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ u transmetua hulumtimi për heshtjen e institucioneve shtetërore para një dukurie që po e shkatërron dhe degradon ambientin.

Në një projekt tjetër në rregullimin e shtratit të lumit Ibër në Mitrovicë i financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit vlera e të cilit arrin 1.7 milion euro, edhe në këtë projekt kompania e cila është duke i kryer punimet “Lirigzoni S” është dënuar me gjobë për eksploatim ilegal, dhe dy pronarëve të saj KPMM-ja u ka ngritur kallëzime penale sepse po pretendohet se materialin e marrë ilegalisht në fshatin Broboniq të Mitrovicës e ka përdorur në mbushjen e shtratit të lumit Ibër.

“Te komuna e Mitrovicës bëhet fjalë për projektin e shtratit të lumit Ibër dhe operatorin që ne e kemi takuar ne vend shfrytëzim ilegal është kompania “Lirigzoni S” dhe e kemi takuar ne fshatin Broboniq të Mitrovicës, ndërmarrja me se paku i ka 3 dënime të shfrytëzimit ilegal”, tha Kryeinspektori Gërguri.

Haki Haxhiu, pronar i kompanisë “Lirigzoni S”, nuk e pranon se materialin e marrë në fshatin Broboniq të Mitrovicës e ka dërguar në punishten e shtratit të lumit Ibër, por e pranon se materiali i fshatit Broboniq është i cilësisë së dobët.

“Nuk jemi duke punuar Ilegalisht në Broboniq, ajo pjesë është pronë e kompanisë sonë dhe ky zhavorr nuk vendoset te shtrati i lumit Ibër sepse nuk bën ky zhavorr se është i dobët me u vendos aty”, theksoi Haxhiu.

Organi mbikëqyrës i këtij projekti është komuna e Mitrovicës, e cila nuk e dinë se nga ka ardhur materiali në punishten e rregullimit të shtratit të lumit Ibër. Këtë e konfirmon Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës Naser Muja .