VIDEO - I riu rrëfen si doli në Itali përmes rrugëve ilegale: Mendova veç a do të mbijetoj

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan intervista të një të riu, një prokuroreje italiane, disa prindërve e disa të akuzuarve për kontrabandim të të miturve për në Itali.

Qindra fëmijë të cilët jetojnë në kampet italiane presin që të marrin dokumentet italiane për qëndrim në Itali.

Rrugët e mundimshme, para të shumta të dhëna për të kaluar drejtë Italisë janë vetëm disa nga gjërat që përshkruajnë familjarë e një i ri që iu bashkangjit kësaj nisme.

Emisioni i sotëm sjell ekskluzivisht hulumtimin disa mujor mes ekipit të Drejtësia në Kosovë dhe disa gazetarëve italian  për kontrabandën kriminale të fëmijëve nën moshën 18 vjeqare të cilët në rrugë ilegale po nxirren për në vendet e BE-së veçanërisht në Itali.

Një zbrazëtirë ligjore në Itali ua mundëson që të miturit që shkojnë në itali, autoritetet nuk mund ta kthejnë në vendin e origjinës dhe më pas i pajisin me dokumentacion italian.

I riu nga Kosova, rrëfen për Drejtësia në Kosovë se si ishte nisur për në Itali.

“Së pari ka qenë një autobus në Prishtinë, tani në Serbi kemi zbrit. Kam pritur 5 orë deri sa na kanë marrë atje, tani kemi shkuar në kufi me Kroacinë kemi qëndru pesë ditë. Kemi shkuar deri në Kroaci pastaj prej atje në Slloveni kanë qenë dy bjeshkë i kemi kaluar e më pas kemi mbërri në Itali”, thotë i riu.

Ai shton se rrugët ilegale i kishte ndjekur së bashku me tetë persona të tjerë dhe organizatorin.

Tutje i riu rrëfen vështirësite që kishte gjatë shkuarjes në Itali.

“Po tash me kallëzu drejt, nuk ka qenë qëllimi që ka me dalë jashtëka me shku në Itali por qëllimi ka qenë vetëm a ka me mbet gjallë qashtu qysh kemi shku. Nuk e kemi mendu që ka me mrri në Itali sepse kur je në një mal ku ka edhe arusha, nuk je që mundesh me mendu që ki me dalë në Itali po a ka me mbet gjallë. Qajo më ka mbetur në kokë”, shton ai.

I riu tregon se ogranizatori i kishte ‘kërcënuar’ duke u thënë se nëse ndalojnë ata nuk i presin dhe mund të humbasin.

“Fjalët e tyre nuk kanë qenë mos me na friksu, por në fakt na kanë friksu shumë sepse ata vetë na kanë thanë nëse mbesni mbrapa na nuk kthehemi me ju marrë e keni me hupë. Vec me na frigu edhe ma shumë. Kur kemi hy në Itali na kanë tregu që na ka pa policia na kanë thanë me shku një rrugë tjetër”, shton ai.

Tutje ai tregon se ndjenja më e mirë për të ka qenë kur ka mbërritur në Itali.

“Rruga ka qenë, ke pas male dhe në ujë kemi hy, kemi pasur me u ngjit në bjeshkë. Me javë ujë nuk kishim. E kur kam mbrri në Itali ka qenë ndjenja ma e mirë se kam thënë që pshtum”, tregon i riu përvojat e ikjes drejtë Italisë.

Sergoi Sera një punonjës në qendrën e quajtur “Comunita Timavo”  e cila shërben  për strehimin e personave të pashoqëruar dhe e cila gjendet afër Triestes ka treguar se si shkojnë fëmijët kosovar nga Kosova për në Itali.

Sera thotë se në qendrën “Comunita  Timavo” kanë katër fëmijë nga Kosova por ka edhe të Shqipërisë.

Ai shtoi se fëmijët që qëndrojnë në qendër ku punon Sera, të miturit studiojnë dhe angazhohen me anë të një tribunali.

“Fëmijët që janë në qendrën tonë janë 17 – 18 vjeç por për ata që studiojnë, mësojnë e angazhohen përmes tribunalit mund të qëndrojnë deri në moshën 19 vjeç. Kur ata mbushin 18 vjeç, për dallim nga emigrantët tjerë, nuk e kanë mundësinë e azilit politik si për shembull afganët ose pakistanezët ose afrikanët dhe kur mbushin 18 vjeç kanë të drejtën e një leje qëndrimi të punës që zgjat një vit dhe gjatë kësaj periudhe duhet të gjejnë një punë dhe banim. Siç thash më parë, pothuajse të gjithë ata që i kemi parë brenda këtyre tri viteve, veçse kanë se ku të shkojnë, kanë familjarë, vëllezër më të mëdhenj që mund t’i mirëpresin në Milano, në Padova, në vetë Trieste, një madje ka shkuar në Sardegna”, shton ai.

Tutje Sera, thotë se nuk e di saktë se sa është totali i fëmijëve që përmes rrugëve ilegale kanë arritur në Itali duke shtuar se ka pasur një numër të kosiderueshëm.

Zbrazëtira ligjore në Itali është shfrytëzuar me të madhe nga rrjetet kriminale të cilët kanë fituar mijëra euro duke nxjerrë fëmijë nga Kosova përmes rrugëve ilegale për në Itali.

Shuma të cilën kanë paguar ata që kanë shkuar në Itali arrinte vlerën deri në 4 mijë euro.