Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në Komision parlamentar, 7 mars 2022, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Gërvalla: Kosova ka rezerva të drithërave edhe për gjashtë muaj

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova ka sasi rezervë të drithërave edhe për gjashtë muaj.

Ajo ka theksuar se nuk ka arsye për të blerë thasë me miell nëpër dyqane.

“Nuk ka arsye për të blerë thasë me miell nëpër dyqane. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk është duke u kujdesur të ketë rezerva shtetërore. Jemi të ndërgjegjshëm që nevojitet lëvizje”, tha ajo, teksa raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporës, lidhur me zhvillimet dhe veprimet pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Fillimisht, nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti, tha se janë dakord për sanksionet që Qeveria e Kosovës ia ka vendosur Rusisë, por ka shtuar se është i shqetësuar rreth furnizimit të Kosovës me derivate dhe drithëra.

“Dihet që bota është e varur shumë nga gazi dhe nafta e Rusisë. Sa furnizime vijnë nga Rusia në Kosovë? A do të ketë pasoja në çmime, furnizime? Cilat janë masat që mos të ketë mungesë të këtyre derivateve. Jemi të varur nga importi i drithit. Si është situata në tregun e Kosovës a ka mungesa në Kosovë të drithërave dhe mos të përhapet panik te qytetarët”, e pyeti Haliti ministren Gërvalla.