VIDEO: COVID-19 në Malishevë, Komuna e përgatitur në rast të rishfaqjes së sëmundjes

Komuna e Malishevës që nga shfaqja e sëmundjes COVID-19 në vend ka regjistruar 77 raste të të infektuarve. Njëri prej tyre ka vdekur.

Por, për më shumë se dy javë kjo komunë nuk ka shënuar asnjë rast të ri dhe të gjithë qytetarët e prekur janë shëruar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Liridon Hoti, thotë se në këtë komunë situata është duke u menaxhuar mirë dhe tanimë nuk ka asnjë rast aktiv.

Hoti në një intervistë për KALLXO.com ka deklaruar se nëse rastet me coronavirusin e ri rikthehen në Malishevë janë të përgatitur për ta menaxhuar situatën.

“Situata në komunën e Malishevës po besoj që po menaxhohet mirë sepse në kohën qe po flasim jemi në zero raste me COVID-19. Komuna e Malishevës pas marrjes së informatave se një qytetar është konfirmu me coronavirus më 14 mars, atëherë kemi fillu dhe jemi angazhu të gjithë, duke filluar nga kryetari dhe të gjitha drejtoritë përkatëse për menaxhimin e kësaj situate. Në kohën që po flasim, jemi me zero raste aktive, kurse gjithsej kemi pasur 77 raste me COVID-19. Fatkeqësisht kemi një rast që ka përfundu me fatalitet dhe 76 raste të tjera janë të shëruar”, tha Hoti.

 

“Shpresoj që numri i rasteve të mos rikthehet, por tashmë Komuna e Malishevës ka një përvojë nga ballafaqimi në fazën e parë. Por që në rast se do të kthehen, po besoj që disa i kemi dhe i dimë procedurat që duhet ndjekur dhe që jemi më të përgatitur sesa herën e kaluar”, shtoi ai.

Ai theksoi se sot ende nuk dihen se sa mostra janë përcjellë për testim për COVID-19 në IKShPK.

“Sipas Qendrës Kryesore Familjare në Malishevë disa që kanë pasur simptomë janë udhëzu që të merren mostra dhe t’i bëhen analizat e mëtutjeshme, fatmirësisht kanë rezultuar negativ dhe tani jemi me zero raste. Sot ende nuk e kemi raportin prej QKMF, presim në përfundim të orarit të mjekeve atje që bëhet në orën 15:00 dhe në orët e fundit të mbrëmjes”, tha ai.

Gjithashtu, Hoti shtoi se me rritjen e rasteve të reja nëpër komuna të tjera,  kanë ndërmarrë masat që nëpër objekte të komunës dhe në vendet që ka frekuentim më të madh të qytetarëve të pajisjen me maska dhe dorëza.

“Sikurse për Malishevën dhe gjithë vendin nuk ka qenë e lehtë pandemia pasi që ka qenë e papritur dhe e panjohur. Kanë munguar gjerat elementare qysh për mbrojtjen e stafit dhe gjithë qytetarëve. Por mendoj që e kemi kaluar mirë. Nuk po e neglizhojmë atë që po ndodh tash në komunat tjera, ne si komunë kemi vendosur që nëpër objekte dhe ku ka frekuentim kemi vendosur që të jenë maskat dhe dorëzat që duhet mbrojtur nga COVID-19”, deklaroi Hoti.

Numri i përgjithshëm i të prekurve në Kosovë me COVID-19 ka arritur në 2,169, prej tyre 1,047 të shëruar dhe 37 të vdekur.