Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Virusi kthehet në Malishevë, flet kryetari i komunës

Në Komunën e Malishevës është raportuar një rast i ri me coronavirus.

Rasti sipas IKSHP-së është në fshatin Mirushë të po kësaj komune. KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune Ragip Begaj i cili dha detaje në lidhje me rastin.

“Është rast i ri. Personi ka ardhur nga Mali i Zi ka qëndruar në karantinë e më pas është liruar. Po besoj se në karantinë i është bërë testimi, pasi ka dalë negativ është rikthyer në shtëpi. E sot paska dalë i njëjti i infektuar me coronavirus”, tha Begaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se rasti i sotëm me coronavirus është i pari pas më shumë se 20 ditësh.

Begaj gjithashtu shtoi se do të ndërmarrin masat të cilat i takojnë që ta trajtojnë këtë rast.

IKSHP njoftoi sot se 12 persona kanë rezultuar pozitiv me coronavirus. 6 në Komunën e Vushtrrisë, pesë në Prizren dhe një në Malishevë.

Gjithashtu IKSHP ka njoftuar se vetëm sot janë shëruar 9 persona të infektuar me coronavirus.

Vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me  metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe  gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Numri total i personave të infektuar ka shkuar në 1 mijë e 64 ndërsa të shëruar 829 raste.

Gjithashtu numri i viktimave nga coronavirus sipas statistikave është 30.

Nga data 08 shkurt  deri më 29 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 14.635 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 .

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 29 maj 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 5.950.089 raste të COVID-19 dhe 362.989 raste të vdekjes.