Qyteti i Malisheves. ARKIV

Shërohet pacienti i fundit me COVID-19 nga komuna e Malishevës

Në mesin e 25 pacientëve të shëruar sot nga COVID-19 është edhe një qytetar nga Malisheva.

Siç njofton kjo Komunë, përveç se të gjitha testet e sotme nga Malisheva kanë rezultuar negative, edhe personi i fundit i prekur me COVID-19 është shëruar plotësisht.

Sipas njoftimit të tyre në rrjetin social “Facebook”, shërimi i pacientit të fundit, është konfirmuar edhe nga familja, të cilëve IKSHP ju ka konfirmuar se pacienti ka rezultuar negativ edhe në testin e dytë radhazi.

“Që nga paraqitja e rastit të parë më 14 mars, shtabi komunal emergjent ka qenë i angazhuar maksimalisht në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, ku është punuar me të gjitha kapacitet e saj, duke përfshirë qeverinë komunale, Policinë e Kosovës, sektorin e shëndetësisë, bashkëpunimin e ngushtë dhe të ndërsjellë me IKSHP dhe Klinikën Infektive, është arritur të menaxhohet mirë pandemia dhe sot kemi zero raste me COVID-19”, citohet të ketë thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Nga data 14 mars, e deri më tani, me COVID-19 në Malishevë janë prekur 77 persona, 76 prej tyre janë shëruar dhe një rast ka rezultuar me fatalitet.

Në anën tjetër, sot në vend janë regjistruar edhe 49 raste të reja.

Numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus ka arritur në 1,486, prej tyre 953 janë shëruar dhe 33 kanë vdekur.