VIDEO - Abazoviq për sulmin terrorist në Banjskë: Duhet të thuhet qartë se kush është përgjegjës për destablizim

“O ma i miri i tanëve, hajde!” – me këtë fjali kryeministri Edi Rama priti homologun e tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq teksa arriti te tapeti i kuq për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit që po mbahet në kryeqytetin shqiptar.

Abazoviq i cili u ndal para mediave u përgjigj lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri malazez tha se duhet të thuhet qartë se kush e ka fajin dhe përgjegjësin që po prodhon destablizim.

“Nëse do të afirmohet si bisedë gjatë samitit, këtu jemi të flasim hapur. Mesazhi i Malit të Zi është paqësor, na duhet të eliminojmë politikat e 90-tave dhe çdokush që provon të krijojë destablizim duhet të thuhet qartë se kush e ka fajin dhe përgjegjësin dhe ato politika duhet me i përjashtu prej jetës së Ballkanit Perëndimor” – ka thënë ai.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri Kurti nuk pranoi që të deklarohet para mediave.

Samiti i Berlinit po ndodh në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.