Nga protestat për Astrit Deharin në nëntor 2016 | Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje: Presidenti Thaçi liroi nga burgu njërin nga dëshmitarët në rastin e Astrit Deharit

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në ‘Facebook’ ka kërkuar nga Prokuroria që të jetë aktive dhe e vëmendshme, në lidhje me hetimin e  vdekjes së aktivistit Astrit Dehari.

Vetëvendosje thotë se presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka liruar nga burgu, njërin nga dëshmitarët e rastit Dehari,Luz Allakaj, duke ia falur 3 vjet e gjysmë, i cili ishte i dënuar për vrasje të një të mituri 13 vjeçar.

“Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes.

Tutje, Vetëvendosje ka thënë se dje deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimit të rastit.

“Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej”, thuhet në fund të postimit.