Vetëvendosje kërkon nga kryeministri të tregojë cilat pika të Marrëveshjes së Uashingtonit kanë qenë kërkesa të Kosovës

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, që të tregojë se cilat pika të Marrëveshjes të nënshkruar me 4 shtator në Uashington ishin kërkesa të palës kosovare.

Ai këtë kërkesë e bëri gjatë seancës së Kuvendit që është duke vazhduar.

“Për njohje nga Izreali keni thënë se nuk e keni ditur, pika për diploma është pikë e përsëritur, çështja e Ujmanit si përfundoi aty, a ishte kërkesë e palës kosovare? Po pika për garanci shtesë për kishat ortodokse? Prandaj na tregoni cilat pika kanë qenë kërkesa të Kosovës e që janë realizuar?”, ka thënë Çeku.

Ai tha se nuk është ndërmarrë asnjë hap përpara nga ana e Qeverisë për konsolidim të shtetit të Kosovës, e sipas Çekut, me t’u kthyer nga Uashingtoni, Hoti e ka risjellë çështjen e ‘Zajednicës’, që sipas tij, e krijon një pushtet të tretë ekzekutiv në Kosovë.