Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosje: Do të themelojmë byron e hetimeve për zyrtarët e lartë

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi ka thënë se për të luftuar korrupsionin, VV ka paraparë themelimin e byrosë së hetimeve vetëm për zyrtarët e lartë për të verifikuar burimin e pasurisë së tyre.

“Korrupsioni në Kosovë është i përqendruar tek zyrtarët e lartë. Ne kemi paraparë të themelohet byroja e hetimeve në kuptimin e hetimeve vetëm për zyrtarët e lartë, pastaj do të rishikojmë komplet pakon ligjore sa i përket luftimit të korrupsionit sikurse do të definojmë kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, tha Rrustemi në DebatPernime me Jeta Xharrën.

Rrustemi tha se Agjencia Kundër Korrupsionit është përqendruar vetëm te roli administrativ i deklarimit të pasurisë, i regjistrimit dhe deklarimit të dhuratave për zyrtarët e lartë publik apo edhe të shmangies të konfliktit të interesit dhe se sipas tij duhet të ketë përgjegjësi shtesë për të verifikuar burimet e pasurisë së zyrtarëvve por në verifikimin e tyre.

“Duhet të zbulohet se si ka ndodhur një transformim pasuria e një zyrtari publik në kohë aq të shkurtër”, tha Rrustemi.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.