Veseli: Mitrovica dhe Kosova janë një dhe të pandashme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli i shoqëruar nga anëtarë të kryesisë qendrore, ka takuar strukturat e partisë në Vushtrri dhe Mitrovicë, ku ka folur për “situatën politike nëpër të cilën po kalon Kosova si dhe sfidat me pandeminë”.

Sipas një komunikate të PDK-së, Veseli ka thënë se se strukturat e këtyre dy qyteteve se asnjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë e cila cënon integritetin territorial të Kosovës nuk do të jetë e pranueshme.

“Mitrovica dhe Kosova janë një dhe të pandashme. Asnjë centimetër tokë e Republikës së Kosovës nuk guxon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë”, citohet të ketë thënë Veseli.

Lideri opozitar ka shprehur mbështetjen e tij dhe të partisë për këto dy degë dhe ka inkurajuar ato që të vazhdojnë “punën e mirë në të mirë të qytetarëve të këtyre dy komunave”.

Kryetarët e Degëve të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, Kurtan Kajtazi dhe Bedri Hamza, kanë falënderuar kryetarin Veseli për mbështetjen dhe “janë zotuar se puna e tyre në interes të qytetarëve do të jetë fokusi kryesor edhe më tej”.

Deleagacioni i Kosovës në SHBA, ka nisur takimet në Uashington. Sot në Shtëpinë e Bardhë pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.