Veseli kthehet në Kosovë pas intervistimit nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli sot është kthyer në Kosovë pas intervistimit në Hagë nga Gjykata Speciale.

Veseli në rrjetin social Facebook i ka shpërndarë disa fotografi nga pritja që i është bërë pas arritjes në Kosovë.

“Falemnderit të gjithëve për pritjen. Gjithmonë krenar me Kosovën dhe lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.

Një ditë më parë, Veseli pas intervistimit nga Dhomat e Specializuara nuk kishte dhënë detaje për qëndrimin e tij përballë hetuesve të Speciales.

“E kam përfunduar intervistën. Vitet 90’ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, dmth për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, ka thënë Veseli në këtë video-mesazh.

Veseli para disa javëve kishte njoftuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim.

Para tij, në këtë Gjykatë ishte ftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pas marrjes së ftesës kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Përveç Veselit e Haradinajt, Gjykata Speciale ka ftuar shumicën e komandantëve të UÇK-së në intervistë.

Megjithëse për intervistim janë ftuar dhjetëra persona, Gjykata Speciale ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.