Veseli krenohet për 'kursimin' e 10 milionëve në shëndetësi, harron 53 milionët e Autostradës

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve. Pas tri ditëve, pritet edhe të shpërndahet Kuvendi i Kosovës ndërsa, krerët e partive kanë nisur para fushatën elektorale.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka postuar në Facebook disa fotografi ku prezanton investimet në objektet e institucioneve shëndetësore.

Ai, po ashtu ka lavdëruar nënkryetarin e PDK-së, ministrin në detyrë, Uran Ismaili.

“Vendosmëria ime dhe e PDK-së për të luftuar seriozisht korrupsionin dëshmohet më së miri me punën e bërë në Ministrinë e Shëndetësisë. Falë nismave antikorrupsion të ndërmarra nga kjo ministri, ne kemi garantuar çmime të njëjta në çdo barnatore, duke i kursyer qytetarëve së paku 10 milionë euro”, ka shkruar Veseli.

“Po ashtu, kemi shmangur abuzimet me barnat që blihen nga spitalet, duke shpenzuar 6 milionë euro më pak. Me këto para që kemi kursyer, ne kemi investuar në pajisje moderne, ambiente cilësore dhe kushte bashkëkohore për pacientët tanë”, thuhet tutje në deklarimin e kryetarit aktual të Kuvendit të Kosovës.

Por, Qeveria në dorëheqje, ku partia e Veselit ishte kryesore në koalicion, por që në krye ishte Ramush Haradinajn kishte dhënë 53 milionë euro për kompaninë “Bechtel Enkan”.

Siç kishte arsyetuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, për gabimet e Qeverisë paraprake.

“Për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”, kishte thënë ai.

Gjatë qeversijës së koalicionit PANA, Telekomi i Kosovës iu kërkuan edhe disa milionë të tjra.

Qeveria e koalicionit PANA gjithashtu u kritikua gjatë mandatit të parë për shpenzimin e rezervave shtetërore.