Vendimi për ndarjen e 50-eurove i irriton punëtorët socialë, kërkojnë t'i bashkëngjiten grevës të hënën

Punëtorët socialë në të gjithë Kosovën kërkojnë që do t’i bashkëngjiten grevës së përgjithshme që është duke u mbajtur.

Një kërkesë e tillë i është drejtuar sot nga punëtorët socialë, kryetarit të Sindikatës së Shërbyesëve Civil, Mursel Zymberit.

Zymberi ka thënë për KALLXO.com se kjo kërkesë erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarje nga 50 euro për të gjithë zyrtarët publikë.

Ai tha se punëtorët janë irrituar nga ky vendim dhe po ashtu nga mosmarrja e pagave, ndonëse një pjesë e tyre nuk kanë qenë në grevë.

“Është kërkesë e të gjithë puntorëve socialë në nivel të vendit. Është irritim pasi nuk kanë dalë pagat, ata nuk kanë qenë as në grevë, një pjesë e madhe nuk ka qenë në grevë deri dje, por pas ofertës që kryeministri e ka dhanë për 50 euro veç i ka irritu më shumë dhe tash është kërkesa që me çdo kusht që nga e hëna të fillojë greva e përgjithshme” – tha Zymberi.

Tutje ai shtoi se është e kotë që të ketë ndonjë takim për tu diskutuar kjo çështje dhe sipas tij Qeveria është totalisht e mbyllur për sindikalistët.

Kujtojmë që një grevë e përgjithshme është duke u mbajtur në Kosovë që nga 25 gusht nga një pjesë e punëtorëve të sektorit publik.

Sot gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballur inflacionin.

Në këtë pako kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarët publikë për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.

Tutje është thënë se kjo pako përfshinë subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.