Vendimi i Qeverisë, në cilat orë nuk mund të dilni jashtë?

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15-të të saj ka marr disa vendime për parandalimin e virusit COVID-19.

Ndër to edhe vendimin për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 pasdite.

Në vendim, thuhet se, nga ora 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes, gjithashtu nuk mund të dilet. Por, ka përjashtime.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në pikën e parë të vendimit.

“Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit”, thuhet tutje në vendim.

“Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Mbrëmë, Presidenti vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media kundërshtoi vendimin e qeverisë së Kosovës, duke thënë se kufizimi i qarkullimit të njerëzve përbën shkelje të Kushtetutës së vendit.