Ilustrim, Foto: Kolegji "Mehmet Akif" në Kosovë/ Facebook

Shqipëria urdhëron mbylljen e kolegjit turk "Mehmet Akif"

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për mbylljen e kolegjit privat turk, “Mehmet Akif”, i cili operonte në Tiranë që 26 vjet.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i 22 shtatorit, pason mbylljen e një kopshti privat për fëmijë, “Zubeyde Hanim” një ditë më parë.

Udhëheqësit e këtij të fundit thanë se i kanë përmbushur të gjitha detyrimet, dhe i plotësojnë të gjitha kushtet.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, ata thanë se kanë depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, në Tiranë, dokumentacionin për anulimin e këtij vendimi të Ministrisë.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar arsyet që shtynë Qeverinë që të mbyllë kolegjin, duke thënë se ai ka bërë “një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë”.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë, nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi”, tha Kushi.

Sipas saj, ky kolegj ka nisur procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga Ministria e Arsimit, dhe nuk i ka plotësuar kriteret ligjore të vendosura nga shteti për institucionet private arsimore.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit”, u shpreh ajo.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, i marrë më 22 shtator, thuhet se kolegji “Mehmet Akif” ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumente për transferim në institucione tjera arsimore, dhe të kthejë pagesat e kryera deri në muajin shtator.

Kolegji “Mehmet Akif” dhe kopshti “Zubeyde Hanim” në Shqipëri janë pjesë e institucioneve arsimore “Turgut Ozal”, ku përfshihen kopshte, shkolla fillore dhe të mesme, universiteti “Epoka” dhe një konvikt për studentët.

Të gjitha këto institucione janë private dhe financohen përmes lëvizjes Hizmet, të klerikut, Fetullah Gulen.

Turqia i referohet kësaj lëvizjeje me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Mbyllja e këtyre objekteve ka qenë vazhdimisht kërkesë e presidentit turk, Recep Tayp Erdogan ndaj Shqipërisë.

Gjatë vizitës së tij në shtetin shqiptar, më 17 janar të këtij viti, Erdogan tha se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri gjen fushëveprim, Lëvizja Hizmet.

“Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, tha Erdogan para Kuvendit të Shqipërisë më 17 janar.

Shqipëria zyrtarisht ka refuzuar të dorëzojë te autoritetet turke anëtarët e lëvizjes Gulen, me ish- ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati që kishte thënë në vitin 2018 se “Shqipëria është solidarizuar me ngjarjet e ndodhura në Turqi, por se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE-në dhe ndjek disa rregulla ndërkombëtare”.

Në anën tjetër, në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje./Gresa Kraja/REL