KPK - Arkiv

KPK e vlerëson kundërkushtetues dhe kundërligjor vendimin e Qeverisë për t'ua ulur pagat prokurorëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm ku është diskutuar vetëm një pikë e rendit të ditës  –  vendimi i Qeverisë për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryeprokurorët e prokurorive.

Përmes një komunikate për media, KPK ka bërë të ditur se në fillim të këtij takimi, anëtaret e KPK-së dhe kryeprokurorët e prokurorive të Republikës së Kosovës njëzëri kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është vendim kundërkushtetues dhe kundërligjor si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.

Tutje, theksohet se në këtë takim Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim përmes të cilit kërkon nga Qeveria që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022.

Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale. Po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

KPK potencon se nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri më 8 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa të tjera më radikale.

Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur me kryetarët e gjykatave, ka marrë vendim që të reduktohet puna dhe të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017, kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Këshilli Gjyqësor redukton punën e gjykatave, i kërkon Qeverisë ta anulojë menjëherë vendimin që ua ul pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve