Vendimi i Komunës së Vushtrrisë: Gjatë vikendeve qytetarët do t'i marrin shërbimet mjekësore vetëm në QMF-1

Në kohën kur temperaturat janë rritur dhe fluksi i mërgimtareve është shtuar, Drejtoria e Shëndetësisë në Vushtrri ka vendosur që fundjavave qytetarët t’i marrin shërbimet mjekësore vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare 1 (QMF-1).

Ky vendim është publikuar në faqen e Komunës së Vushtrrisë më 18 korrik.

Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Nexhmedin Rashica, tha se arsyeja e këtij vendimi është se QMF-1 ka urgjencë mjekësore ndërsa Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila tash ka lokacion të ri, nuk ka urgjencë dhe është më larg spitalit.

Sipas drejtorit, vendimi është marrë për çështje të sigurisë së pacientëve.

“Të gjitha shërbimet jepen në një vend, gjatë kujdestarive, të shtunve e të dielave… Vikend është. Urgjencën e kemi në QMF-1. Më herët QKMF ka qenë në oborr të spitalit e me ndodh një alergji, një shok apo diçka e kemi dërgu pacientin menjëherë në spital. Tash QKMF është largu, diçka me ndodh është në pyetje minuti. Veç për këtë. Në QMF-1 i kemi dërgu katër mjekë, e kemi dyfishuar stafin. Vetëm për çështje të sigurisë”- tha ai.

Vendimin që fundjavave vushtrriasit t’i marrin shërbimet mjekësore vetëm në QMF-1 po e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur skandaloze një veprim të tillë.

Në një reagim, LVV-ja ka theksuar se vendimi është në kundërshtim me ligjin.

“Për më keq ky vendim është nxjerrur në mes të sezonit të verës, kur po ballafaqohemi me temperatura të larta, si dhe në kohën e pushimit të mërgimtarëve, kur numri i popullsisë, qytetarëve dhe kërkesave për shërbime shëndetësore pothuajse dyfishohet. Përveç se skandaloz vendimi është edhe në kundërshtim me normat ligjore pasi me këtë vendim QMF 1 merr rol më të avancuar se sa vet QKMF nën të cilin institucion ajo funksionon. Pra, gjatë vikendeve nuk punon QKMF, kurse punon QMF 1. Çfarë koncepti inovativ?!! Ftojmë inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa ndaj kësaj situate absurde dhe të rikthehet puna gjatë vikendeve në QKMF, siç ka qenë me parë”- thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Naile Gjakaj, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, tha se edhe ajo ka kërkuar që shërbimet mjekësore vikendeve të merren nga qytetarët vetëm në QMF-1.

Si arsye përmendi sigurinë e qytetarëve pasi që lokacioni i ri i QKMF po konsiderohet larg emergjencës së Spitalit.

“Më herët ne i kemi pasë dy qendra që  kanë punu, mirëpo tash me objektin e ri kemi dalë në një lokacion tjetër edhe jemi larg emergjencës. E në QMF-1 është emergjenca dhe ekipi i plotë i punës. Kështu që mos me rreziku pacientët, mos me na ndodh diçka, autoambulanca nuk ka, emergjencë nuk ka. E kemi bërë me dy ekipe të plota dhe urgjenca në QMF-1. QMF-1 mund të përballojë fluksin e pacientëve që mund të ketë sepse janë dy ekipe të plota”- tha ajo për KALLXO.com.