Foto: AFP

Vdes vëllai i presidentit Trump

Robert Trump, vëllai i presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka vdekur të shtunën në New York, ka njoftuar presidenca amerikane përmes një komunikate, raporton AFP.

“Me zemër të rënduar ju njoftoj se vëllai im i mrekullueshëm, Roberti, ka vdekur në qetësi sonte”, ka thënë Trump përmes një komunikate të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Ai nuk ishte vetëm vëllai im, ai ishte miku im më i mirë“, ka shkruar presidenti sipas AFP-së.

“Kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrën time. Robert, të dua. Pusho në paqe”.

Robert Trump ishte shtrirë në një spital në New York dhe mediat amerikane kishin raportuar se ai ishte i sëmurë rëndë, por pa dhënë hollësi rreth natyrës së sëmundjes.

Presidenti e ka vizituar vëllanë në spital të premten për rreth 45 minuta. Për mediat, presidenti kishte thënë se vëllai i tij po jetonte “momente të vështira”.