Vdes këmbësori 19-vjeçar i aksidentuar të martën në Arllat, arrestohet shoferi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur këmbësori i cili ishte aksidentuar dje në fshatin Arllat të Drenasit.

Sipas Policisë, viktima është E.B., i moshës 19-vjeçare, ndërsa shoferi i makinës që dyshohet se ka goditur këmbësorin, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin nga Njësiti i hetimeve të Trafikut Rajonal të Prishtinës, është identifikuar ngasësi i automjetit, që ka qenë i përfshirë në aksident. Menjëherë nga hetuesit është siguruar prezenca e personit të dyshuar,  i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje” – ka bërë të ditur Policia.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:40 në kryqëzimin e rrugëve ‘Agim Qela’ dhe ‘Hamëz Jashari’, në fshatin Arllat të Drenasit.