Foto: Arbërie Nagavci/Facebook

Vdes doktori i njohur nga Gjakova, Rifat Lila

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se ka vdekur Rifat Lila, doktori i njohur nga qyteti i Gjakovës, i cili është autor i 89 punimeve shkencore.

“Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në postimin e OMK-së.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka thënë se sot, mjekësia kosovare humbi një nga mjekët më të aftë.

“Gjakova humbi doktorin që ishte i të gjithëve, i devotshëm, profesionist i përkushtuar e gjithnjë i gatshëm të jetë në shërbim të secilit që kishte nevojë. Na i ka hapur dyert e shtëpisë së tij, e na ka vizituar me dhjetëra herë në shtëpitë tona, na ka telefonuar e na e ka ngritur dhe humorin në ditë të vështira”, ka shkruar Nagavci.

Rifat Lila ka qenë doktor i shkencave, specialist dhe profesor, i cili ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad.

Në vitin 1978 filloi studimet pasdiplomike dhe specializimin nga Mjekësia e Punës.

Në 1988 mbron disertacionin e doktoratës dhe merr titullin doktor i shkencave të mjekësisë.

Më 2004 është zgjedhur ligjërues në Fakultetin e Filozofik – Departamenti i Psikologjisë, në lëndën Mjekësia e punës.

“Dr. Lila është meritor për themelimin e Institutit të punës në Gjakovë”, thuhet në postimin e OMK-së.

Në vitin 2019, Oda e Mjekëve të Kosovës i ka dhënë dekoratën Nderi i Mjekut “Ali Sokoli” për kontributin e veçantë në themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Lila është autor i 89 punimeve shkencore në vend, Tokio, Kajro dhe Peçuj. Është autor i një monografie dhe 3 librave.

“Gjithashtu është bartës i shumë certifikatave nga Kardiologjia, Pulmologjia dhe Mjekësia preventive”, përfundon postimi i OMK-së për Lilën.