Arkiv/Ilustrim

Vdekjet nga COVID-i, hapet tender për shërbime të funeralesh për 1,000 të vdekur

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka hapur tender për shërbime funeralesh për të vdekurit nga COVID-19.

Përmes tenderit pritet të kontraktohet kompania që do të ofrojnë dhe për këtë shërbim janë ndarë 250 mijë euro.

Meqë kjo kontratë është kornizë, sasia mund të devijojë deri në plus/minus 30%, që i bie mund të jenë për 700 apo 1,300 persona të vdekur nga COVID-i që do të marrin shërbimin e kontraktuar nga ShSKUK-ja.

SHSKUK-ja ka dhënë edhe shërbimet që duhet të ofrohen nga kompania që do të kontraktohet.

Sipas tenderit, ekipet e transportit të kufomave nga COVID-19 duhet të jenë të pajisur me mantele nga materiali jo i depërtueshëm nga lëngjet, sekretet dhe materiali infektoz, maska FFP3, mbrojtëse të fytyrës si dhe doreza.

Gjithashtu te pajisjet hyjnë edhe arkivolet të të cilat janë dy lloje, arkivol druri i cili duhet të mbyllet hermetikisht me bulona dhe arkilov druri jashtë standardid i cili duhet të mbyllet hermetikisht me bulona.

Procedurat për shërbimet funerale të viktimave të COVID-19 në ShSKUK sipas tenderit janë, përgatitja e kufomës, vendosja në qese speciale dhe mbyllja e qeses, vendosja e kufomës në arkivol druri, bartja e kufomës nga klinika apo reparti deri te morgu, regjistrimi i kilometrave deri te varrezat dhe dezinfektimi i arkivolit, makinës dhe hapësirës.

Tenderi është publikuar në e-Prokurim pesë ditë më parë nga ShSKUK, ndërsa afati i pranimit të aplikacioneve për këtë tender është data 8 i këtij muaji.

Në dosjen e tenderit, thuhet edhe se është shkurtuar afati kohor për shkak se kontratës që është në fuqi është afër përfundimit si dhe rritjes së madhe të numrit të vdekjeve nga COVID-19 varianti Delta.

“Duke pas parasysh tani edhe rastet në rritje ku potencialisht mundet të ketë raste të shumta të vdekjeve është e nevojshme që të përmbushen nevojat urgjente të Njësive organizative të SHSKUK-së. Bazuar ne LPP Neni 46 Rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore paragrafi 2 i nenit 46 thotë Gjatë një aktiviteti të prokurimit që përdor procedurat e hapura të prokurimit, autoriteti kontraktues mund të përcaktojë një afat të caktuar kohor për pranimin e tenderëve”, thuhet në dosje.

Për këtë arsye dhe në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, ShSKUK ka vlerësuar se mund të bëhet shkurtimi i afatit për afatin e pranimit të tenderëve nga 40 ditë në 15.

Vetëm javën e kaluar, në Kosovë kanë vdekur 132 persona të cilët ishin të infektuar me COVID-19.

Nga numri i madh i të infektuarve dhe vdekjeve, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një mori masash për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Sot kanë hyrë në fuqi masat për bartjen e maskës, ndalimin e punës së gastronomisë në  ambiente të mbyllura, ndalimin e ahengjeve, dasmave.

Të gjitha masat e reja anti-COVID që nga sot janë në fuqi