
Vdekje e dyshimtë e një gruaje në Malishevë, Prokuroria po e heton rastin
Një grua pa shenja jete është dërguar nga familjarët në Qendrën e mjekësisë familjare në Malishevë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj bëri të ditur se QMF ka njoftuar menjëherë stacionin policor lidhur me rastin.
“Sot rreth orës 17:00, nga QKMF-e Malishevë është njoftuar Stacioni policor se nga familjarët e saj ishte sjellë një person – femër pa shenja jete. Rastit i është përgjigjur patrulla policore dhe njësia e hetimeve S.P. Malishevë”, ka thënë Xhurkaj.
Ai potencoi se sipas raportit mjekësor nuk ka elemente dyshimi rreth vdekjes, por familjarët dyshojnë se shkaktar mund të jetë vaksina anti-Covid-19 të cilën viktima e kishte marr para tre ditësh.
“Sipas mjekut kujdestar nuk vërehet ndonjë element dyshimi rreth vdekjes por në kontakt me familjarët e viktimës, të njëjtit deklarojnë dhe dyshojnë se shkaktar i vdekjes mund të jetë vaksina Anti Covid-19 të cilën viktima e kishte marrë para tre dite në QKMF Malishevë”, shtoi tutje Xhurkaj.
Tutje ai shtoi se lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda ku me urdhër të tij rasti cilësohet si vdekje e dyshimtë dhe trupi i pa jetë i viktimës merret nga instituti i mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksion.