Vazhdon kontrollimi në Banjskë, policia ende në terren

Mëngjesi i 24 shtatorit zbardhi në Banjskë të Zveçanit me një sulm terrorist që u krye në drejtim të Policisë së Kosovës.

Rreshteri policor, Afrim Bunjaku u vra nga ky grup terrorist, derisa 3 pjesëtarë të këtij grupi mbetën të vrarë po ashtu.

Arsenal i madh armatimi u gjet në zonën që ndodhi sulmi. Armë të rënda luftarake, përfshirë këtu edhe autoblinda e vetura tjera të blinduara, u gjetën nga policia në Manastirin e Banjskës e në objektet afër saj.

Grupi terrorist arrti të largohet malit për në Serbi, e këto male që nga e diela e kaluar janë duke u kontrolluar nga zyrtarët policorë.

Edhe sot, policët gjenden në këtë zonë e po vazhdojnë veprimet e tyre hetimore për të zbardhur detaje e për të siguruar dëshmi të reja për rastin në fjalë.

Lidhur me këtë për KALLXO.com ka folur edhe Veton Elshani, zëvendësdrejtori i policisë në Drejtorin Rajonale të Mitrovicës së Veriut.

“Jemi duke e kontrollu terrenin, përmbi Banjskë jemi njëherë për njëherë” – ka thënë Elshani për KALLXO.com më 3 tetor.

Ai tutje ka shtuar se në vendngjarje janë edhe ekipe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR e edhe ekipe të EULEX.

Zëvendësdrejtori u pyet nëse janë gjetur armë të reja nga kontrollet e policisë që janë bërë këto ditë, mirëpo ai ka thënë se nuk mund të flas për këtë çështje.

“Nuk mundemi me thënë diçka njëherë për njëherë, kur të kthehen ekipet mandej e shohim” – tha Elshani.

Në Banjskë monitorimi i situatës edhe sot është duke u bërë nga Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.

Në ditën kritike, më 24 shtator, Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Trupat e tre terroristëve të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Disa ditë pas aktit terrorist, Radoiçiq ka njoftuar se po jep dorëheqje nga subjekti politik, Lista Serbe.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga ngjarja e sulmit terrorist. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.

Ndërsa të dielën, më 2 tetor 2023, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, Gazmend Hoxha prezantuan dëshmi të reja të sulmit që u krye në Banjskë.

Në konferencë u tregua se në mesin e armëve që u konfiskuan nga grupi terrorist, pati edhe armë të prodhuara në vitin 2023 në Serbi.

Shumica prej armëve që prezantoi policia ishin armë të prodhuara në Serbi, e madje në konferencë u prezantuan edhe pamje të dronëve të grupit terrorist.

Nga këta dron që u konfiskuan, u nxorën pamje ku dëshmohet se si grupi terrorist kishte kryer trajnime e përgatitje ushtarake për të kryer sulmin në Banjskë.

Këto ushtrime, sipas Sveçlës u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik.

Në konferencë po ashtu u prezantuan pamje nga kamerat e autoblindave të Policisë së Kosovës që dëshmojnë sulmin që u krye nga ana e grupit terrorist në drejtim të PK-së në momentin kur autoblindat kishin shkuar në mbështetje të ekipeve që ishin zënë në pritë dhe për tërheqjen e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku.