(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Vapë në Kosovë, apelohet për kujdes në kontaktin me rrezet e diellit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vapë.

Sipas njoftimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-36 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare drejtimesh të ndryshme.

Kurse, të premten do të mbajë mot kryesisht i ngjajshëm, me diell dhe vapë.

“Në vlerat e temperaturave minimale parashihen rritje të lehta, ndërsa masimalet për 2-3 gradë parashihen të kenë ulje. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare”- thuhet në njoftim.

IHMK ka apeluar qytetarët për kujdes për shkak të vapës.

“Kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit nga ora 10-17 për shkak të indeksit UV shum të lartë, respektoni udhëzimet e IKSHP”.

Edhe fundjava parashihet me temperatura të larta, ngjashëm me të ditës së enjte, thekson Instituti.

Masat e rekomanduara mbrojtëse nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:

1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;
2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;
3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;
4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente;
6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;
7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;
9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.