Vapa e madhe, në mungesë të çezmeve, Komuna e Prishtinës vendos cisterna me ujë të pijshëm në shesh

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se sipas parashikimeve të motit, ditëve në vijim pritet që temperaturat të jenë shumë të larta.

Komuna ka bërë apel tek qytetarët që  të shmangin ekspozimet e panevojshme në diell nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

“Kjo vlen sidomos për kategoritë e cenueshme si të moshuarit, shtatzënat dhe të personat me sëmundje kronike e sidomos me ato kardiovaskulare. Apelojmë gjithashtu që gjatë ditëve në vijim, të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit, ushqime të lehta dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna ka bërë të ditur se duke pasur parasysh temperaturat e larta që do të jenë në ditët në vijim, Komuna e Prishtinës në  bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësve, do të vendos dy cisterna me ujë të pijshëm  për mundësi freskimi në Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Gjithashtu në bashkëpunim me ekipet në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Urgjente në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një autoambulancë  që do të jetë në gatishmëri të plotë. Luten të gjithë qytetarët që ndjejnë shqetësime të lajmërohen te ekipi kujdestar apo edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt”, njofton Komuna e Prishtinës.

Komuna po ashtu ka bërë apel tek qytetarët dhe bizneset që gjatë këtyre ditëve, ujin e pijshëm ta konsumojnë  në mënyrë sa më racionale.