Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vajza e zv/kryeministres Emilia Rexhepi punësohet në RTK

Sabina Rexhepi, vajza e zëvendëskryeministres Emilia Rexhepi është punësuar në televizionin publik me kontratë të rregullt.

Para punësimit me kontratë të rregullt, vajza e zv.kryeministres ka punuar me kontratë mbi vepër për rreth shtatë vjet në kanalin e gjuhës serbe RTK 2.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Emilia Rexhepi, e cila në Qeverinë e Kosovës është zëvëndëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut.

“Po, është punësuar me konkurs”, deklaroi ajo përmes telefonit.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi tha se punësimi i vajzës së saj ka ndodhur me procedura të rregullta. Ajo tregoi se Sabina Rexhepi ka punuar për rreth shtatë vjet me kontratë mbi vepër në televionin publik.

“Ajo ka punuar në RTK2 rreth 7 vjet, me kontratë mbi vepër dhe kur e kanë larguar prej punës, i kanë larguar edhe boshnjakët edhe turqit. Në atë kohë është hap një konkurs në RTK1 për gjuhën boshnjake dhe ajo ka konkuruarr dhe ka fituar më shumë poena edhe çfarë është problemi?”, deklaroi Rexhepi.

Televizioni Publik i Kosovës nga 31 marsi i këtij viti vendosi që mos t’ua vazhdojë kontratat e punës për 180 punonjës që ishin të angazhuar me kontrata mbi vepër.

E pyetur nëse vet zëvendëskryeministrja Rexhepi ka ndikuar për t’iu punësuar vajza në RTK, ajo e mohoi një gjë të tillë. Ajo tha se vajza e saj e ka merituar sepse ka qenë studente e mirë dhe ka pasur përvojë të punës.

“Jo bre çfarë, ajo është një studente e mirë me krejt notat e mira, ajo e ka merituar sepse 7 vjet ka punuar në gjuhën serbe në RTK2”, deklaroi Emilia Rexhepi për KALLXO.com.

Për punësimin e vajzës së zv.kryeministrës Emilia Rexhepi kishte folur edhe drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhkaj, gjatë raportimit në Komusionin Parlametar më 21 qershor të këtij viti. Ai mohoi të ketë pasur ndikime politike.

“Nuk kemi të bëjmë me automatizëm që dikush që ka qenë e ka vazhduar kontratën e rregullt. Po flasim për procese rekrutuese të rregullta dhe nëse ti performon mirë në intervistë mirë, me shkrim, mirë edhe me gojë, është e paarsyeshme që mos ta fitosh një vend pune vetëm pse ke një lidhje të caktuar me dikë”, tha ai para kuvendarëve.

“Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me ndikim politik, kemi të bëjmë me një rast të komuniteteve dhe në garë kanë qenë vetëm katër persona, po flasim për një numër të vogël të konkurrentëve”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Sabina Rexhepin, vajzën e zv.kryeministres, Emilia Rexhepi, por ajo ka thënë shkurt se nuk ka koment për këtë çështje dhe e ka mbyllur telefonin.

Ndërsa, pyetje shtesë për të kuptuar më shumë detaje rreth konkursit janë dërguar edhe në adresë elektronike të drejtorit aktual, Shkumbin Ahmetxhekaj, por deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punësimet partiake e familjare në televizonin publik.

Gjatë kohës sa ishte në krye të bordit të RTK-së, Sali Bashotës i ishte punësuar dhëndri në televizionin publik.

Ndërsa, në prill të vitit 2021, KALLXO.com raportoi për punësimet e familjarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Media e vetme publike në vend është kritikuar në vazhdimësi për mënyrën e punësimeve dhe numrin e lartë të të punësurave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e vitit 2021, në dhjetor të vitit 2019, RTK ka pasur të angazhuar 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, në dhjetor të vitit 2020 i ka pasur 218 dhe në dhjetor të vitit 2021 i ka pasur 258.

Sa është numri aktual i personave me kontrata për shërbime në RTK?

www.kallxo.com