Sa është numri aktual i personave me kontrata për shërbime në RTK?
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Radiotelevizioni i Kosovës nuk ka bërë ndonjë vlerësim për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kërkesat për bashkëpunëtorë të jashtëm janë bërë në baza individuale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Auditori në raportin e publikuar në vitin 2021, në dhjetor të vitit 2019, RTK ka pasur të angazhuar 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, në dhjetor të vitit 2020 i ka pasur 218 dhe në dhjetor të vitit 2021 i ka pasur 258.
Kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se aktualisht në RTK janë dy kontrata për shërbime, për dy moderatorë të lajmeve.
“Aktualisht në RTK janë dy kontrata për shërbime, për dy moderatorë të lajmeve, të cilët punojnë një orë për t’i dhënë lajmet. Këta nuk paguhen një muaj por për aq herë sa i jep lajmet”, ka thënë Boletini.
Ai ka thënë se ka qenë befasuese se si 239 persona kanë qenë duke punuar me kontrata për shërbime në kohën kur ai ka marrë pozitën e kryetarit të bordit të RTK-së.
“Ne kur kemi ardhur në bord kemi kërkuar listën totale të punëtorëve, dhe kur ka ardhur lista, ka qenë e befasishme me i pa 239 persona me kontrata për shërbime. Të gjitha janë bërë pa një analizë nga drejtori i përgjithshëm sepse po flasim për 700 mijë euro. Në projeksionin që e ka sjell ish-drejtori kanë qenë të parapara 700 mijë euro. Dukuria ka qenë me punësu njerëz, me marrë prej rrugës, prej kafes me i dhënë rrogë në RTK. Këta persona nuk kanë gëzuar asnjë të drejtë që e përcakton Ligji i punës”, ka thënë Boletini.
Kontratat për bashkëpunëtorët e jashtëm lidhen në bazë të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve ku këto kontrata lidhen për një punë të caktuar sikurse është prodhimi apo riparimi, apo kryerja e një pune fizike dhe intelektuale për kohë të kufizuar dhe jo për pozita të rregullta pune sipas Rregullores së RTK-së për Sistematizimin e Vendeve të Punës.
Por sipas Auditorit, mbi 70% e bashkëpunëtorëve të jashtëm RTK i kishte angazhuar në pozita të rregullta.
Të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm me pozita sipas tabelës për harmonizimin e vendeve të punës në RTK kanë kontratë vjetore dhe janë paguar çdo muaj për punën e angazhuar. Pjesa e bashkëpunëtorëve të jashtëm me pozita të parapara sipas rregullores së brendshme për bashkëpunëtorë të jashtëm (aktor, skenarist, asistent i regjisë, ekspertë të reknologjisë informative, programi i Vitit të Ri, instrumentist, dirigjent dhe të angazhuarit në programin e natës) kanë kontrata për periudhë të caktuar, kryesisht nga 3 muaj deri 12 muaj të cilët janë paguar për njësi.
Auditori: Në vitin 2021 u angazhuan 258 bashkëpunëtorë të jashtëm në RTK