Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
RTK nuk do t’i vazhdojë kontratat me shërbime pas 31 marsit
Radio Televizioni i Kosovës nuk do t’i vazhdojë mbi 180 kontrata me shërbime pas 31 marsit, datës kur ato skadojnë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha para bordit se nga muaji prill nuk do të ketë më kontrata me shërbime në këtë institucion.
Në muajin e kaluar, RTK ka shpallur 39 pozita të reja ndërsa së shpejti pritet të shpall konkurs edhe për rreth 8 pozita të tjera.
“U.d drejtori ka propozuar hapjen e konkursit për 12 pozita të punës në disa njësi ndryshme të RTK-së. Bordi i RTK-së ka aprovuar tetë prej tyre. Rrjedhimisht do të ketë konkurs publik për punësimin e punëtorëve të rregullt në pozitat si vijon, një (1) videoreporter/korrespodent në Tiranë, një (1) gazetar/korrespodent në Mal të Zi, një (1) gazetar/korrespodent në Serbi/Preshevë, një korrespondent/gazetar për rajonin e Prizrenit, një gazetar për redaksinë boshnjake në Radio Kosova dhe dy shoferë”, thuhet në komunikatë.
Ahmetxhekaj sqaroi se në fillim të këtij viti kanë qenë gjithsej 239 kontrata me shërbime të veçanta, ndërsa me shpalljen e këtyre konkurseve, në prill do të ndërprehen rreth 180 kontrata me shërbime.
Sipas tij nga këto shkëputje të kontratave janë duke u kursyer rreth 450 mijë euro.
“Në këtë mbledhje z. Ahmetxhekaj raportoi për risistemimin e punonjësve brenda mediumit publik. Risistemimi në këtë fazë është bërë duke pasur për bazë faktin se me datën 31 mars të këtij viti përfundojnë të gjitha kontratat për shërbime dhe vendet që do të mbesin vakante, do të plotësohen nga stafi i brendshëm që kanë kontrata të rregullta”, ka njoftuar RTK.
U.d i drejtorit të RTK-së ka folur edhe rreth sistemit të punëtorëve brenda mediumit publik.
“Në këtë fazë të risistemit janë përfshirë 37 punëtorë vetëm tre nga ta kanë hezituar të pranojnë kontratën e re. Shumica e tyre janë transferuar nga Radio në TV”, tha ai.
U.D. i drejtorit të RTK-së: Nga marsi nuk do të ketë kontrata me shërbime në RTK