Foto: KALLXO.com

Ushtria shqiptare u ftua por nuk u lejua të ndihmojë Kosovën gjatë vërshimeve të janarit

Zona të ndryshme të Kosovës u goditën muajin e kaluar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Skenderaj e Mitrovica u përballen me përmbytje të përmasave që nuk mbaheshin mend nga qytetarët e këtyre komunave. Edhe zona e Klinës, Pejës e Junikut u vërshuan por jo në masën e Skenderajt dhe Mitrovicës.

Gjendja e jashtëzakonshme kishte aktivizuar të gjitha institucionet emergjente.

Përveç institucioneve vendore ishte kërkuar ndihmë edhe nga Shqipëria, saktësisht nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Ani pse një kontingjent me trupa ushtarake ishte nisur drejt Kosovës në mbrëmjen e 20 janarit për ndihmë, pas disa orë pritjeje në Kukës forcat shqiptare u kthyen mbrapa, pasi u ishte thënë se nuk ishte e nevojshme ndihma e tyre.

KALLXO.com ka zbuluar se kjo kërkesë ishte bërë nga Lorik Lipoveci, ish-këshilltari politik i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Lipoveci katër ditë pas kësaj kërkese kishte dhënë dorëheqje ndërsa në një bisedë me KALLXO.com tha se do të merrej me diçka tjetër, jo në MPB, por në institucione të tjera.

Në asnjë moment Lorik Lipoveci nuk e ka mohuar faktin se kishte ftuar Ushtrinë e Shqipërisë për ndihmë.

Mesditën e 20 janarit, në zyrën e kabinetit të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë ishte dërguar një kërkesë në kuadër të marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë dhe bashkëpunim të ndërsjellë në rast të fatkeqësive natyrore.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në tetor të vitit 2020 mes dy vendeve ndërsa kërkesa ishte bërë më 20 janar në ora 11:58.

Kërkesa e Lipovecit ishte marrë me urgjencë ndërsa vetëm pak orë më pas një kontigjent me ushtarë të Shqipërisë ishte nisur drejt Kosovës për ndihmë.

Ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili me anë të një njoftimi kishte treguar për forcat ushtarake të cilat ishin dislokuar në Kukës në gjendje gatishmërie për t’u vënë në ndihmë të autoriteteve në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se strukturat operacionale të Forcave të Armatosura pas kërkesës nga autoritetet kosovare, menjëherë ishin aktivizuar.

Ata qëndruan për disa orë në Kukës, ndërsa u kthyen mbrapa pasi iu tha se nuk ishte e nevojshme që të ndërhynin për ndihmë.

“Në ndjekje të vazhdueshme të situatës së përmbytjeve atje, në koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kosovare, pas përmirësimit të pasojave të shkaktuara nga moti, edhe me kërkesë të autoriteteve Kosovare, u vlerësua e panevojshme ndërhyrja e strukturave operacionale (trupave dhe mjeteve të FA), të dedikuara dhe dislokuara në Kukës për këtë mbështetje” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pra në mesditë u kërkua ndihma dhe në mbrëmje iu tha se nuk kemi nevojë për ndihmën tuaj.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka thënë për KALLXO.com se kërkesa ka ardhur nga kabineti i ministrit Sveçla.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Që nga 31 janari e deri më sot Ministria ka kthyer vetëm një përgjigje.

“Më lejoni të ju njoftoj se këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Lorik Lipoveci ka dhënë dorëheqje për arsye të obligimeve personale dhe familjare”- thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

Këto arsye personale dhe familjare nuk i ka përmendur Lipoveci në bisedën me KALLXO.com.

Ai gjatë një bisede me KALLXO.com ka thënë se tashmë do të angazhohet me gjëra të tjera në sistemin publik por jo në MPB.

Tutje, sipas Lipovecit, dorëheqja e tij nuk lidhet me kërkesën që i është bërë Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

“Unë kam dhënë dorëheqje sepse do të marr detyra të tjera. Jo, jo,  nuk ka të bëjë ajo, sepse unë, unë do të marrë detyra të tjera, do të angazhohem në disa sfera të tjera publike, prandaj…”- tha Lipoveci.

Ai nuk pranoi të japë detaje në lidhje me kërkesën që iu bë Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

“Jo, jo, të lutem, as nuk po ta mohoj, as nuk po ta pranoj, vetëm diçka, unë përveç punëve të tjera si këshilltar ligjor, si kryenegociator i marrëveshjeve e të tjera, unë kam qenë për dy vite edhe këshilltar i caktuar për emergjenca civile në Republikën e Kosovës”- ka thënë Lipoveci në bisedë me KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se ka qenë edhe kryenegociator i marrëveshjeve me Shqipërinë ndërsa ka menaxhuar edhe emergjencat civile.

“Duke qenë edhe kryenegociator i marrëveshjeve me Shqipërinë zyrtarisht, edhe këshilltar, zyrtarisht unë jam i caktuar  si pikë kontakti, pra kam qenë pikë kontakti zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me Republikën e Shqipërisë”- shtoi ai.

Ligji për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera parasheh edhe ndihmat nga shtetet e jashtme.

Neni 83 i këtij Ligji parashesh specifikat se kur bëhet ndihma.

Nga katër pika që ka ky nen, pika e 3 tregon specifikisht se “përveç ndihmës së siguruar nga marrëveshjet bilaterale, kërkesa për ndihmë nga vendet tjera në aspektin e forcave dhe resurseve në rastin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera bëhet nga Qeveria”.

Lipoveci tha se nëse kërkesat bëhet nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, ato janë bërë përmes tij.

Pozitën e këshilltarit politik, Lipoveci tha se e ka që nga fillimi i qeverisjes, pra nga viti 2021.

Për të sqaruar këtë situatë KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai kur u pyet nga KALLXO.com në lidhje me dorëheqjen e Lipovecit tha se arsyet kanë qenë personale, ndërsa refuzoi të përgjigjej në lidhje me kthimin e trupave ushtarake të Shqipërisë pasi iu tha se Kosova nuk ka nevojë për ndihmën e tyre.