Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ushtria e Kosovës hap dyert për qytetarët për t’i vizituar kazermat

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se me rastin e “Ditës së Forcës” më 27 nëntor (e shtunë), duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 14:00 organizon “Ditën e hapur”.

Kjo nënkupton që të gjithë qytetarët janë të mirëpritur të vizitojnë të gjitha kazermat e FSK-së, si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin.

Manifestimi qendror do të jetë në Kazermën “Adem Jashari” në ora 10:00, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë.

FSK njofton tutje se në të gjitha kazermat e FSK-së, në këtë ditë festive, para qytetarëve të pranishëm,  do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

“Forca e Sigurisë së Kosovës forcë profesionale dhe multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim! Të nderuar qytetarë,  Ejani të festojmë së bashku Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës!”, bën thirrje Ushtria e Kosovës.