Foto: ZPRK

Osmani në Ditën e Forcës: E tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta

Presidentja e vendit, njëherësh komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Ditën e Forcës ka vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Sipas komunikatës së Presidencës, presidentja Osmani ka inspektuar të gjitha stacionet e njësive të FSK-së, respektivisht aftësitë dhe kapacitetet  taktike dhe operacionale të ekspozuara.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë, të sublimuar me rënien epike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familje” – citohet të ketë thënë presidentja.

Sipas saj, Kosova është krenare me të arriturat e ushtrisë tonë, e cila e ka mision të shenjtë, mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës.

“E tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës  dhe parakusht për paqe e stabilitet në rajon e përtej”, ka thënë tutje ajo.

Sipas fotove të publikuara nga Presidenca, presidentja ka qenë e shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Bashkim Jashari dhe nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Sot për nder të ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, 7 kazermat kanë hapur dyert për qytetarët.