Ushtari i FSK-së. Foto: KALLXO.com/Shkodrane Dakaj

Të moshuar, të rijnë e fëmijë i gëzohen 'Ditës së Forcës'

Dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot u hapën për qytetarët për nderë të ‘Ditës së Forcës – Ditës së Ushtrisë’

Të moshuar, të rijnë e fëmijë vizituan sot kazermat, e në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë prezent ishin edhe krerët e shtetit.

Teksa shihnin armatimin që prezantonin ushtarët e FSK-së, qytetarët shpreheshin të lumtur me arritjet e ushtrisë së vendit.

E në mesin e tyre kishte edhe ish pjeswtarw tw Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndihmuan në sjellën e lirisë për Kosovën.

Ismail Paqarizi nga Malisheva është njëri prej pjesëtarëve të UÇK-së që sot vendosi ta kalonte ditën duke vizituar ushtarët e FSK-së.

“Unë kam qenë pjesëtar i UÇK-së edhe kam dal sot veç me e kënaq shpirtin, mashallah qenka mirë, një dhjetë vite ymër i shtova unë” – tha ai për KALLXO.com.

I njëjti shtoi se është shumë i lumtur me të arriturat e FSK-së, duke thënë se iu është bërë “zemra mal”.

Një nga vizitorët në këtë kazermë ishte edhe Ramadan Meha, i cili ndonëse me probleme shëndetësore nuk arriti ta ndalë vetën për të shkuar sot e të shoh armatimin që prezantoi Forca e Kosovës.

“Një këmbë po më dhemb po veç dëshirë që kam pas jam ardh” – tha Meha teksa shtoi se ndjehet shumë i lumtur kur i sheh ushtarët.

“Veç veshjen e ushtrisë kur po e shoh… nuk kemi pas ushtri tonën kurrë. Unë jam i lindur në 45-ën, baba ka qenë me Shaban Polluzhën, kur ka kris në 91-ën së pari tek Jasharët, unë me pushkë kam dal e e kam taku Rifatin, kur është plagosë Veseli, Vesel (Selimi) Aqareva, unë me të kam qenë” – kujton ai teksa thotë se më mirë se sot nuk është ndjerë më herët.

“Sot, më mirë nuk bën. Veç deri këtu” – tha ai teksa tregonte se djali i tij i madhi ka qenë pjesë e UÇK-së e një tjetër tashmë është ushtar.

Edhe Mustaf Vitia sot vizitoi këtë kazermë, e i njëjti thotë se është gati të qaj nga gëzimi teksa i sheh pjesëtarët e veshur me uniformë e duke prezantuar armatimin që ata kanë.

“Jemi ardh për ushtrinë tonë me i vizitu këtë armatim, këtë ushtri këtë pasuri të Kosovës, kjo është pasuria më e madhe e Kosovës, e shqiptarisë. E jemi ardh me vizitu krejt këtë armatim që e kanë bë ushtria jonë, shteti jonë. Ky gëzim më të madh nuk ka se me pa këtë farë…. Më mirë nuk ka qysh, me ia nis me kajtë krej gëzimit, a e din prej gëzimit” – tha ai.

E përpos shqiptarëve, Ushtria e Kosovës sot u vizitua edhe nga një amerikan.

Javier Ortiz e e fejuara e tij, Diellza Rexhës, sot bashkë u njoftuan për herë të parë me armatimin e FSK-së.

Ortiz për KALLXO.com tregoi se edhe vet ka qenë pjesë e ushtrisë në Amerikë, teksa tha se i pëlqeu edhe Forca e Kosovës.

“Unë kam qenë në ushtri në Amerikë dhe jam i njoftuar me këto. Teksa i pash u ndjeva shumë mirë, Më pëlqyen” – tha ai.

I njëjti shtoi se në Kosovës po ndjehet shumë mirë dhe i sigurt.

“Ndjehem mrekullueshëm, taksisti rrugës për këtu më tregonte se i pëlqen amerikanët, unë e dua këtë. Ndjehem shumë i sigurt dhe shumë krenar, shumë i lumtur” – tha ai.

Ndërsa Diellza Rexha tha se për të është hera e parë në një kazermë të FSK-së.

“Kemi dal me pa ushtrinë edhe mjetet e tyre. Për mua është hera e parë, rastësisht e pash në televizion që ka me qenë sot hapur edhe e shfrytëzova rastin me i pa. Po, ky e ka kry ushtrinë edhe desha me ia tregu, është prej Amerikës edhe thash pse jo me pa çka ka shteti ynë” – tha ajo.

Prezent në këtë aktivitet ishin edhe Komandanti Suprem i FSK-së, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e edhe gjenerallejtënant Bashkim Jashari.