Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Ejup Maqedonci. Foto: ZKM

Dita e Forcës, Osmani e Kurti vlerësojnë rolin e Ushtrisë së Kosovës

Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot vizituan kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ata vizituan këtë kazermë në “Ditën e Forcës” që u përcjellë me aktivitete që nga ora 10:00.

“Sot është dita e FSK-se, është ditë krenarie jo vetëm për ushtarët e ushtrisë sonë, por për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë sonë Çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë” – tha presidentja Osmani.

Tutje ajo shtoi se si komandante supreme e kësaj ushtrie çdo kund në çdo cep të botës shihet se me sa admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie.

“Prandaj jam jashtëzakonisht krenare për të” – tha presidentja.

Edhe kryeministri pati një fjalim para mediave, duke i uruar presidenten, komandantin e FSK-së, ministrin e mbrojtjes e të gjithë qytetarët e tjerë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila e ka ditën sot, një ditë para 28 nëntorit, pra janë dy festa njëra pas tjetrës. Urime presidentes se Republikës, Vjosa Osmani, urime ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe urime të gjithë qytetarëve të Republikës tonë dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë” – u shpreh Kurti.

Tutje ai tha se e kanë të qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se Qeveria e Kosovës në më pak se tri vite ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit.

Ai theksoi se në më pak se 32 muaj kanë dërguar 3,459 ushtarë e oficerë jashtë vendit.

Prezentë në këtë aktivitet ishin edhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e gjenerallejtënant Bashkim Jashari.