Universiteti i Prishtinës ka shpenzuar mbi 62 mijë euro për materiale mbrojtëse nga COVID-19

Universiteti i Prishtinës ka shpenzuar mbi 62 mijë euro për materiale mbrojtëse nga COVID-19

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga muaji shtator ka shpenzuar 58 mijë euro për furnizim me materiale mbrojtëse kundër COVID-19.

Pajisja me mjete mbrojtëse ishte bërë përmes tenderit “Furnizim me masa mbrojtëse anti-covid, për të gjitha njësitë akademike të UP-së”, të cilin Universiteti i Prishtinës e kishte zhvilluar me procedurë të përshpejtuar për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.

Sipas dosjes së tenderit, UP ishte furnizuar me pajisje në të cilin vendoset dezinfektuesi, termometër, dezinfektues për toalet 1,000 mililitra, maska të ndryshme dhe shenja paralajmëruese për respektim të distancës e të tjera.

Këto mjete mbrojtëse, sipas zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës, janë ndarë në të gjitha fakultetet dhe njësitë e tjera varësisht numrit të stafit dhe të studentëve në këto njësi akademike dhe administrative.

Në UP thonë se kanë blerë mjete mbrojtëse me para ‘kesh’ edhe para tenderit në vlerë 58 mijë euro.

“Sasi e mjeteve mbrojtëse nga COVID-19 është blerë edhe para hapjes së tenderit të lartcekur, kohë pas kohe përmes parave kesh (petty cash). Shuma totale e shpenzuar nga Rektorati dhe të gjitha fakultetet e UP-së, nga shtatori 2020, është 4,728.92 euro”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Universiteti i Prishtinës, me vendim të rektorit, ka emëruar Komisionin për emergjenca në UP, i cili nxjerr rekomandime për zhvillimin e aktiviteteve akademike, administrative dhe llojeve të tjera të aktiviteteve, në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale.

Sikurse edhe universitetet e tjera, UP-ja ka themeluar edhe task-forcat anti-COVID në të gjitha njësitë akademike të UP-së, të cilat janë përgjegjëse për monitorimin dhe evidentimin e mbarëvajtjes së mësimit konform rekomandimeve të autoriteteve, si dhe vlerësimin e kapaciteteve të UP-së për mbajtjen e mësimit në rrethanat e pandemisë.

KALLXO.com kishte raportuar rreth mosrespektimit të masave anti-COVID-19 në Universitetin e Prishtinës të përcaktuara me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër 7 universitetet publike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e universiteteve publike në Kosovë.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin me prani fizike nëpër objektet e fakulteteve.

Gjatë monitorimeve është vërejtur që nëpër klasat e fakulteteve ka pasur probleme me shënjimin e distancës së uljes së studentëve nëpër klasa. Po ashtu, ka pasur shkelje edhe në pajisjet me dezinfektues në hyrje të fakulteteve e me material higjienike nëpër banjo.

Në disa fakultete po ashtu është vërejtur edhe  mungesë e termometrit në hyrje të fakulteteve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në institucionet e arsimit të lartë të zhvillohet me prani fizike.

“Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Është bërë e ditur se procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19″.

Sipas institucioneve shëndetësore, COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Po ashtu sipas institucioneve bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.