Ukraina fillon përdorimin e raketave amerikane ATACMS

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka konfirmuar se Kievi ka përdorur raketa të sistemeve raketore taktike të ushtrisë me rreze të gjatë veprimi (Atacms) të ofruara nga SHBA. “Sot, një falënderim i veçantë për Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Marrëveshjet tona me Presidentin Biden janë duke u zbatuar. Shumë saktë – raketat Atacms e dëshmuan veten”. Kjo shënon përdorimin e parë zyrtarisht të konfirmuar në Ukrainë të Atacms, i cili mund të fluturojë deri në 305 km.

Forcat ukrainase i kanë sulmuar fushat ajrore në territorin e mbajtur nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore gjatë natës, duke shkatërruar helikopterë, duke rrëzuar një raketë të mbrojtjes ajrore dhe duke i dëmtuar pistat, ka thënë ushtria ukrainase duke shtuar se forcat e saj kanë kryer “sulme të drejta në aeroportet e armikut” pranë qytetit lindor të Luhansk dhe qytetit jugor të Berdianskut. 

Një kabllo telekomunikuese që e lidh Suedinë dhe Estoninë është dëmtuar, ka deklaruar ministri suedez i mbrojtjes civile. Carl-Oskar Bohlin tha se duket se ka ndodhur në të njëjtën kohë kur një tubacion gazi nënujor dhe një kabllo telekomi që lidh Finlandën dhe Estoninë u dëmtuan më 8 tetor.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e ka mirëpritur homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pekin për të pritur përfaqësues të 130 vendeve për një forum mbi Nismën e Xi-së për Rripin dhe Rrugës.

Dhoma e ulët e parlamentit rus thuhet se ka dhënë miratimin paraprak për një projektligj që e revokon ratifikimin e një traktati global të ndalimit të testeve bërthamore.

Shkatërrimi i digës Kakhovka në Ukrainën juglindore në qershor shkaktoi dëme dhe humbje në vlerë prej 14 miliardë dollarësh, sipas një raporti të qeverisë ukrainase dhe OKB-së.

Grant Shapps, sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, do të vizitojë SHBA-në të martën për bisedime urgjente mbi konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Kanadaja po i targeton nëntë individë dhe gjashtë stacione televizive në sanksione të reja kundër bashkëpunëtorëve rusë në Moldavi. Ata që janë në shënjestër janë të lidhur me oligarkë me ndikim, si Vladimir Plahotniuc dhe Ilan Mironovich Shor, ndërsa stacionet televizive promovojnë dhe shpërndajnë dezinformimin rus, thuhet në një njoftim nga ministria e jashtme kanadeze.

Zyrtarët amerikanë, koreano-jugorë dhe japonezë janë takuar në Xhakartë për të diskutuar angazhimin e Koresë së Veriut me Rusinë, duke përfshirë transferimet e armëve që shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala