Gjykimi ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë e të tjerëve

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e të tjerët, sërish mohojnë akuzat

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore për rastin ndaj të dyshuarve për krim të organizuar me viza italiane, ndaj të akuzuarve ish deputetit Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës Astrit Haraqija dhe të tjerëve.

Të akuzuarit Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani, janë deklaruar sërish të pafajshëm për veprën penale që akuzohen.

Mbrojtja e të akuzuarit, Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha kërkoi që mos të bëhen publike fytyrat e të akuzuarve.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku tha se interesi i publikut është i madh për këtë rast, por pranoi kërkesën e Berishës.

Prokurorja e rastit, Florije Shamolli tha se nga provat që do të administrohen në shqyrtim gjyqësor, 77 dëshmitarë do dëgjohen dhe se i akuzuari Ukë Rugova me të akuzuarit tjerë ua ka mundësuar pajisjen me viza italiane schengen këtyre klientëve, për të cilat kanë paguar shuma të ndryshme të parave, në lartësi deri në 4 mijë euro.

Ajo shtoi e bindur se Ukë Rugova nga provat të cilat do të adminstrohen nga Prokuroria, do shihet se ka pranuar aplikacione edhe nga i akuzuari Astrit Haraqija.

“Po ashtu i akuzuari Ukë Rugova, nga provat të cilat do i administrojë Prokuroria në shqyrtimet kryesore, do shihet se ka pranuar aplikacione dhe nga i akuzuari Astrit Haraqija, kurse Florian Petani ka luajtur rolin për sigurim të vizave schengen që janë dhënë në mënyrë të paligjshme, e i njëjti përmes komunikimeve të drejtpërdrejta, ka biseduar me të akuzuarit Rugova dhe Beqiri”, tha prokurorja Shamolli.

Ajo tha se aplikacionet për këta klientë gjatë një kontrolli u gjetën në shtëpinë e të akuzuarit Ukë Rugova, por gjithashtu një numër i aplikacioneve ishin të shoqëruara me dokumente që pretendohej që ishin kontrata të punësimit, të nënshkruara nga Qefser Baholli, e që këto informata janë të rreme.

Mbrojtja e të akuzuarit Rugova, Nexhat Shabani tha se, mbesin pranë kundërshtimit të aktakuzës.

“Mbes pranë kundërshtimit të aktakuzës dhe fjalës hyrëse të dhënë më herët, mbrojtja do fokusohet në atë se rezultati i hetimit, jo vetëm se s’mund të hetohet se i mbrojturi im ka kryer veprat penale që janë në aktakuzë, por do vërtetohet se ndaj të mbrojturit tim, është shkelë norma që hyn në kuadër të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Me provat e prezantuara nga Prokuroria, do vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”, tha avokati Shabani.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Izet Beqiri, Besnik Berisha tha se asnjëri nga 77 dëshmitarët e përmendur nga Prokuroria, nuk kanë kaluar kufirin ilegalisht.

“Emëruesi i përbashkët i dëshmive të këtyre dëshmitarëve, ishte dhe mbetet se asnjëri nga ta s’ka kaluar kufirin ilegalisht, nuk kishte pasur dokument false, e as vizë të lëshuar në mënyrë të kundërligjshme, por kishin shkuar dhe ishin kthyer në afat të përcaktuar me vizë”, theksoi avokati Berisha.

“Presim nga kjo Gjykatë që t’i lidhë sytë, që të gjykojë bazuar në provat e siguruara nga një hetim i kundërligjshëm, që barrën e të provuarit të mos na e transferojë nga Prokuroria te të akuzuarit, mbi të gjitha secilin fakt që ata dëshirojnë me provu përtej dyshimit mirë të bazuar, ta interpretoni në favor të atyre që janë të akuzuar”, shtoi avokati Berisha.

Ndërsa i akuzuari Florian Petani, tha se ka hequr dorë nga mbrojtja dhe avokati Abdullah Hoti do jetë mbrojtës në gatishmëri.

Ai po ashtu tha se po ndiqet penalisht në dy vende në Kosovë dhe Itali.

“Unë jam i detyruar që të jap sërish fjalën hyrëse për shkak se, procesverbalet e shqyrtimit gjyqësor më duhet t’i dërgoj edhe në Itali ku unë po ndiqem penalisht për të njëjtat vepra penale dhe për të njëjtat fakte në kundërshtim me parimin ‘ne bis in idem’, mbi të gjitha në kundërshtim me nenin 6 të ligjit numër 03L-033, për statusin e imuniteteve, privilegjet e misioneve diplomatike”, tha Petani.

“Ky nen mua më jep imunitet funksional në lidhje me veprimet të mia të kryera në cilësi zyrtare, në Kosovë. Për këtë Prokuroria Speciale ka qenë vazhdimisht në dijeni, përfshirë dhe prokurorja e rastit dhe përkundër këtij fakti, as Prokuroria në Itali e as Prokuroria në Kosovë, nuk e morën mundin që të koordinohen mes tyre dhe të vihen dakord se cili juridiksion duhet të merret me mua. Në vend të kësaj preferuan që të më godasin të dyja edhe pse të dyja janë në dijeni për procedurat paralele. Për këtë arsye unë e kam thënë dhe në fjalën hyrëse në procedurës paraprake, ‘nuk barrikadohem pas imunitetit, s’jam barrikaduar për 7 vite rresht, s’jam barrikaduar as kur më kanë mbajtur 11 muaj paraburgim me rrezik arratisjeje, sepse kam 3 shtetësi’ dhe prania ime këtu tregon se çfarë rreziku ka pasur”, poashtu theksoi Petani.

Ai kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku që në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, të vendosin se a do përtërihet kjo padrejtësi e vazhdueshme sipas tij, se a do të vazhdojnë të dy procedurat apo do të ndalet njëra nga to dhe tha se aktakuza është konceptualisht e mangët, se ka të meta logjike të tmerrshme dhe është faktikisht është e pambështetshme dhe juridikisht e paqëndrueshme

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Qefser Baholli, Luljeta Jashari tha se po ashtu e kundërshtojnë aktakuzën.

“Qëndroj pranë fjalës hyrëse të dhënë nga kolegia ime Kosovare Kelmendi, duke e kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, pasi aktakuza është e pabazuar e pambështetshme, pasi s’kemi të bëjmë me veprën penale, krim i organizuar pasi nuk janë plotësuar një numër kriteresh ligjore. Provat e gjetura s’kanë të bëjnë me banesën dhe klientin tim, kurse për armën e gjetur i mbrojturi im ka pasur leje por atë s’ka mundur ta vazhdojë, pasi atë kohë ka pasur probleme shëndetësore”, tha avokatja Jashari.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Astrit Haraqija, Korab Vokshi tha se iu pamundësohet një mbrojtje efikase.

“Në këto rrethana konsideroj se ne si mbrojtje na pamundësohet një mbrojtje efikase, për shkak se gjatë shqyrtimit gjyqësor s’mund të dimë saktë se cilat prova e fakte do na shërbejnë të provojmë apo t’i atakojmë me qëllim të ofrimit të një mbrojtjeje sa më cilësore”, tha avokati Vokshi.

Astrit Haraqija mbështeti avokatin e tij dhe tha se ndaj tyre është bërë një lojë, që prej fillimit ka qenë politike. Ai tha se aktakuza i ka pamundësuar kandidimin në zgjedhje dhe se kjo ka qenë e qëllimshme.

Ndërsa kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku tha se drejtësia do të vendoset në bazë të provave e jo në bazë të emrit se kush është i akuzuar.

Ajo shtoi se sa i përket të akuzuarit Petani, do të kërkojnë informacion nga Prokuroria sa i përket çështjes penale.

Ndërsa prokurorja Shamolli, tha se ka komunikuar me Prokurorinë Italiane dhe se i kanë thënë se ekziston gjykimi në mungesë.

“Kam komunikuar me Prokurorinë italiane, ata kanë thënë se ekziston procedura në mungesë, e sipas tyre është duke u mbajtur gjykimi në mungesë nëse s’gaboj, se është kohë e gjatë dhe kam kërkuar që me qenë e pranishme atje, mirëpo pandemia me COVID e komplikoi situatën. Unë i kam komunikimet zyrtare dhe avokati juaj mund t’i shohë ato. Po ashtu kam kërkuar që nëse është përfunduar gjykimi, me na dërgu aktgykimin”, theksoi prokurorja Shamolli.

I akuzuari Petani u deklarua se të dy Gjykatat po e ndjekin për të njëjtat fakte.

“Të dyja po më ndjekin për të njëjtat fakte, unë u siguroj procesverbalet ku vërtetohet se, unë kam qenë prezent atje dhe hera e fundit që kam qenë, është para dy muajsh dhe këtu kemi të bëjmë me litispendencë”, tha ai.

Ndërsa gjyqtarja Dërmaku tha se, do të vërtetojnë nëse ka të bëjë me litispendencë.

Seanca e radhës u caktua, për datën 31 maj.

Ndryshe, ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ndryshe edhe seanca e paraparë për 11 mars kishte dështuar të mbahet edhe pse kishin kaluar më shumë se 1 vit prej kur ishte mbajtur seanca e fundit në këtë rast.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

 

Ukë Rugova, Astrit Haraqija dhe të tjerët deklarohen sërish rreth fajësisë