Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, në Kiev

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë mbërritën në Kiev të enjten në një shfaqje të mbështetjes kolektive evropiane për Ukrainën, derisa ajo përpiqet t’i rezistojë agresionit të Rusisë.

Kjo është vizita e profilit më të lartë në kryeqytetin e Ukrainës që kur Rusia filloi agresionin kundër saj.

Presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrit italian Mario Draghi që udhëtuan së bashku në Kiev do t’u bashkohet presidenti rumun, Klaus Iohannis.

“Është një moment i rëndësishëm”, tha presidenti Macron. “Është një mesazh i unitetit evropian ndaj ukrainasve”.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA citoi kancelarin Scholz të ketë thënë se udhëheqësit duan të tregojnë solidaritetin, por edhe angazhimin e tyre për të vazhduar ndihmën financiare dhe humanitare për Ukrainën dhe furnizimin e saj me armatime.

Ai shtoi se kjo mbështetje do të vazhdojë “për aq kohë sa është e nevojshme për luftën e Ukrainës për pavarësi”, raportoi agjencia DPA.

Udhëheqësit mbërritën me një tren të posaçëm gjatë natës të ofruar nga autoritetet ukrainase dhe mbajtën një takim të gjatë pas mesnate, për të harmonizuar qëndrimet e tyre përpara takimit me presidentin ukrainas, Volodymir Zelenskyy.

Vizita ka peshë të madhe simbolike duke pasur parasysh se të tri fuqitë e Evropës Perëndimore janë përballur shpesh me kritika për mos ofrimin e armatimeve në shkallën e kërkuar nga presidenti Zelenskyy dhe për gatishmërinë e tyre për të vazhduar bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin.

Shumë në vendet baltike dhe të Evropës Qendrore, të cilat kontrolloheshin nga Moska gjatë Luftës së Ftohtë, besojnë se Vladimir Putini e kupton vetëm gjuhën e forcës dhe i kanë parë si të papranueshme përpjekjet e presidentit Macron dhe të tjerëve për të vazhduar bisedat me të pas agresionit rus.

Shpresat janë të mëdha midis ukrainasve se vizita mund të shënojë një pikë kthese duke hapur rrugën për furnizime të reja të rëndësishme me armë.

Vizita po ndodhë ndërsa udhëheqësit e BE-së përgatiten të marrin një vendim me 23 dhe 24 qershor mbi kërkesën e Ukrainës për t’u bërë kandidate për anëtarësim dhe përpara një takimi të rëndësishëm të NATO-s me 29 dhe 30 qershor në Madrid.

Gjithashtu të enjten, ministrat e mbrojtjes të NATO-s po takohen në Bruksel për të diskutuar për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën./VOA