Tubimi në Mitrovicën e Veriut, Policia prezente në vendin e ngjarjes

Një grup i protestuesve, kryesisht gra janë mbledhur në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Njoftimin për këtë protestë e kishte bërë Lista Serbe të martën përmes një konference për media.

Tubimi në Mitrovicën e Veriut, Policia prezente në vendin e ngjarjes

Në anën tjetër në fillim të urës së Ibrit, si zakonisht edhe sot janë parë pjesëtarë të njësisë “Carabinieri MSU”.

Tubimi në Mitrovicën e Veriut | Foto: KALLXO.com

Tubime të tilla janë duke u mbajtur edhe në Graçanicë e në Shtërpcë.

Tubimi në Mitrovicën e Veriut | Foto: KALLXO.com
Tubimi në Mitrovicën e Veriut | Foto: KALLXO.com
Tubimi në Mitrovicën e Veriut | Foto: KALLXO.com

Lidhur me këto protesta është njoftuar Policia, të cilët kanë bërë të ditur se përmes detyrës zyrtare kanë bërë planifikimet operacionale për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Policia ka thënë se plani operacional parasheh marrjen e masave operative policore me qëllim që protesta të kalojë e qetë dhe pa incidente.

Ka tash e disa muaj që situata në veri të vendit është e tensionuar.

Tensionet u krijuan pas dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Njëri për njohjen e letërnjoftimeve në mes dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi dhe tjetri për targat ilegale në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë parasheh që të gjitha veturat që janë të pajisura me targa ilegale t’i regjistrojnë ato në RKS.

Për çështjen e targave, ekzekutivi ka marr një vendim me disa faza që është paraparë që të zbatohen në Kosovë.

Ky plan me faza ka nisur nga 1 nëntori. Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.

Faza e dytë ishte paraparë që të fillonte më 21 nëntor, por që më pas ishte shtyrë për një ditë.

Një komunikatë e Policisë së Kosovës kishte bërë të ditur që fillimi i shqiptimit të gjobave do të fillonte më 22 nëntor 2022, nga ora 08:00 e mëngjesit.

Mirëpo ende pa u bërë i 22-ti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti vendosi që kjo fazë të shtyhet edhe për 48 orë.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targa ka bërë që të ketë tensione të ngritura në veri të vendit, duke bërë që edhe serbët të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës, nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Në anën tjetër takimet tre palëshe kanë qenë prezente ditëve të fundit në mes dy shteteve Kosovë-Serbi dhe ndërkombëtarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të hënë në Bruksel, por që nuk pati ndonjë marrëveshje gjatë takimit të tyre trepalësh.

Ndërsa sot u raportua se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – do të takohen në Bruksel për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Kështu i thanë burimet diplomatike Radios Evropa e Lirë, sipas të cilave palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.