ILUSTRIM

Tryeza "Lum Lumi", Vjosa Osmani premton përkrahje për mbrojtjen e lumenjve

Nën organizimin e Bunarfest është mbajtur sot një tryezë diskutimi i titulluar “Lum Lumi” me rastin e ditës botërore të lumenjve.

Temë diskutimi ishte fillimisht dëmtimi i lumenjve nga hidrocentralet. Panelistë në këtë diskutim ishin Shpresa Loshaj – aktiviste nga rajoni i Deçanit, Arbnor Kastrati –  nënkryetar i shoqatës për energji të ripërtërishme dhe Diana Metushi – Krasniqi, moderatore.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën hyrëse u zotua se institucioni që ajo udhëheq do të jetë aleat i fuqishëm për mbrojtjen e lumenjve.

Anipse Qeveria po hesht përballë degradimit të natyrës, Osmani thotë se Parlamenti dhe të tjerë nuk duhet heshtur.

“E them vazhdimisht e më fuqishëm, tash në kohë pandemie, se një vend assesi nuk mund të ketë ekonomi të shëndoshë pa një popullatë të shëndoshë. E duke qenë së këtë vit na u dëshmua më qartë se kurrë, lidhja që kemi ne njerëzit me natyrën, keqtrajtimi i natyrës rezulton në dëm tonin. Andaj sot bëjë thirrje edhe njëherë që të jemi të kujdesshëm, se si dhe në çfarë mënyrë po tentojmë të zhvillohemi si shtet”, u shpreh Osmani.

“Sepse duke mos pasur konsideratë për atë që na rrethon, ne nuk kemi as për jetën tonë. Nuk është fort e zakonshme që parlamentet të jenë ato që udhëheqin agjendën e gjelbër në një vend, këtë pritet ta ketë ekzekutivi, por nuk është e drejtë qe ne si Parlament të heshtim vetëm pse Qeveria po hesht. Nëse ata nuk veprojnë, atëherë na mbetet neve që ta ngrisim zërin ndaj degradimit të natyrës. Do të na keni aleatin më të fortë për mbrojtjen e lumenjve tanë”, tha ajo.

Në anën tjetër, aktivistja nga Deçani, Shpresa Loshaj u shpreh e shqetësuar se kompania KELKOS Energy mund të arrijë që të pajiset me leje mjedisore, ndonëse sipas saj, nuk i përmbush kushtet e që Ligji rregullohet në favor të tyre.

“Ne e kemi kuptu që Ambasada e Austrisë është tu bë presion te politikanët e Kosovës që me akomodu KELKOS-in pa marrë parasysh që ata janë tu i thy ligjet tona. KELKOS tash më 19 tetor e ka një afat nga ZRRE-ja e ka një licencë të përkohshme që edhe ajo nuk është e ligjshme. Leje mjedisore nuk mund të marrin pasi që nuk i kanë përmbush kushtet. Ne jemi ende të shqetesum qe KELKOS mundet me shku me marrë leje mjedisore edhe pse nuk i ka përmbush kushtet. Gjithmonë po gjendet një nen në ligj që me akomodu KELKOS-in, për më dalë këta ligjërisht”, u shpreh Loshaj.

Ajo tregoi se nga takimi me ministrin e Ambientit dhe Ekonomisë Blerim Kuçi, ky i fundit ka deklaruar se është në dijeni se çfarë ka ndodhur në Deçan.

“Ministri e pranoi. Për herë të parë një institucion publik e pranuan që në Deçan ka probleme me hidrocentrale. Ministri tha e di çka ka ndodhë aty, edhe me ka ardhë marre me shku me pa”. Biseduam si me shku përpara, që me kuptu edhe KELKOS-i qe e vetmja menyrë për me operu në Kosovë është sipas ligjit”, shtoi aktivistja.

Ndërkaq, Diana Metushi – Krasniqi nga KDI shprehu shqetësimin e banorëve të fshatit Biti e Poshtme të cilët kanë protestuar qindra herë në mbrotje të lumit të tyre.

“Banorët e fshatit Biti e Poshtme, janë një fshat i përzier, i mrekullueshëm me pa por që të hyrat i sigurojnë vetëm nga kultivimi i mjedrës. Atë që kemi gjetë gjatë studimit tonë  është se strategjitë shtetërore janë në total në kundërthënie me njëra-tjetrën edhe përderisa ne kemi një strategji shtetërore për zhvillimin e bujqësisë, kemi një strategji të energjisë së riperteritshme që nuk zgjedh se ku do të ndërtohen këto hidrocentrale. Kemi një strategji për zhvillimin e turizmit malor që nuk i respekton menaxhimin e parqeve dhe në fund kemi 100 hektarë mjedra nga të cilat jetojnë 2 mijë banorë të Bitisë që rrezikohen në futjen e lumit në gypa”, deklaroi Metushi – Krasniqi.

Ky diskutim u mbajt me dy panele të ndara, fillimisht për dëmtimin e lumenjve nga hidrocentralet në Kosovë, ndërsa më pas për problematikat e ndryshme të lumit Lumbardhi të Prizrenit.

E ftuar në panelin e parë ishte edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, por në cilësinë e udhëheqëses së komisionit hetimor parlamentar për hidrocentralet. Por, ajo nuk iu përgjigj ftesës.

Në panelin e dytë të ftuar sipas agjendës janë Gani Berisha – udhëheqës i Deparatementit të autoritetit rajonal të pellgjeve lumore, Osman Krasniqi – drejtor i shërbimeve publike në Prizren, Egzona Shala – grupi për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit, Dren Marseli – organizator i Bunarfest, nën moderimin e Alban Hysenit.

Diskutimin e plotë direkt mund ta ndiqni përmes këtij linku.