Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Tri raste të dhunës në familje raportohen në polici, arrestohen të dyshuarit

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës brenda 24 orëve.

Në Prishtinë, organet e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike në vazhdimësi ndaj gruas. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit ai është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë në Fushë Kosovë, Policia ka shoqëruar në stacion një të dyshuar tjetër, pasi në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë verbale ndaj gruas së tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari do të ndalet në stacion policor deri në këndellje dhe më pas të intervistohet”- thuhet në raportin e Policisë.

E një person tjetër është arrestuar në Gjakovë pasi edhe ai dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikike ndaj gruas. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është hospitalizuar në repartin  psikiatrik.