‘Trepça” Sh.A nuk arrin të furnizohet me binarë për minierë

Ndërmarrja “Trepça” Sh.A e cila është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk ka arritur të furnizohet me binarë për miniera.

Kjo kishte ndodhur për shkak se ishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Në javën e fundit të muajit qershor të vitit të kaluar, ndërmarrja “Trepça” Sh.A kishte hapur thirrjen për kontratë për tu furnizuar me binarë për minierë të tipit S24.

Si vlerë të kontratës, kjo ndërmarrje nën administrimin e AKP-së, ndau 34,400 euro, për kohëzgjatje të kontratës 45 ditë.

Për këtë aktivitet të prokurimit, u përdor lloji i procedurës së hapur me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u anulua, pasi u parashtrua ankesë në OShP.

“Lënda ka qenë OSHP përshkak të një ankese nga OE Profitech, kundër vendimit të Autoritetit kontraktues ,,Trepça SH.A për propozim për shpërblim me kontratë, në bazë vendimit 598 21 të datës 22.07.2022,OSHP,e hodhi si të jashtë afatit të shqyrtimit të kësaj lënde, pas mungesës së gjatë të mos shqyrtimit të lëndës në fjalë, ngritjes së çmimeve në treg, mos zotimi i mjeteve të paraparë për këtë aktivitet etj ,anulimi bëhet që lënda të mbyllet, dhe të krijohet mundësia, për aktivitete të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin për anulim.