Pal Lekaj takohet me Valon Prestreshin e Autoritetit te Konkurrences Foto: Facebook

'Trashja e Monopolit', Pal Lekaj takohet me kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi është takuar me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj për të diskutuar në lidhje me Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve të homologimit.

Pas publikimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” se Ministria e Infrastrukturës përmes një Udhëzimi Administrativ të kundërligjshëm po e ‘trash monopolin’ në fushën e homologimit të automjeteve, ka vendosur t’i takoj zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Ky udhëzim administrativ, sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është në kundërshtim me ligjin për mbrojtje të konkurrencës.

“Sot zhvillova takim me Ministrin Lekaj, për t’i harmonizuar qëndrimet tona rreth udhëzimit administrativ për përcaktimin e kushteve të homologimit. Takimi ishte frytdhënës dhe shpresëdhënës. U dakorduam që takimi i radhës të zhvillohet në nivel teknik”, ka shkruar Prestreshi në profilin e tij në Facebook.

Ministri, Pal Lekaj kishte refuzuar disa herë që t’i përgjigjet pyetjeve të Emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë çështje, ndërsa tani dy javë pas publikimin të emisionit, Lekaj e pret në takim kryetarin e autoritetit, Valon Prestreshin.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që është përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës, kishte konstatuar se draft-udhëzimi Administrativ i Ministrisë së udhëhequr nga Pal Lekaj është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës, mirëpo pavarësisht ankesave, MI kishte vazhduar tutje duke e futur në fuqi këtë Udhëzim.

http://kallxo.com/pal-lekaj-refuzon-te-komentoje-trashjen-e-monopolit-te-homologimit/

Kompania që e ushtron veprimtarinë e kryerjes së homologimit është ‘EuroLab’, e vetmja kompani e licencuar nga Ministria e Infrastrukturës e që njihet si monopol.

Kontrata e Ministrisë me ‘Eurolabin’ përfundon vitin e ardhshëm dhe Udhëzimi Administrativ që tashmë është në fuqi rrezikon që të ia zgjasë jetën përsëri këtij monopoli.

Përveç kësaj, ky Udhëzim Administrativ ia kishte marrë të drejtën Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për të kryer a-testet, duke ia kaluar edhe këtë punë kompanisë private ‘Eurolab’.

Më poshtë mund ta shihni hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për trashjen e monopolit në homologim.

http://kallxo.com/gjnk/trashja-e-monopolit-ne-homologim/

“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar edhe për dështimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Ministrisë së Tregtisë për të kryer kalibrimin e pajisjeve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve.

http://kallxo.com/deshtimi-12-vjecar-shtetit/

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’